Gjigandi i varfër i naftës me kontraktorë të pasur: prapaskenat e betejës së qeverisë me Bankers Petroleum

Gjigandi i varfër i naftës me kontraktorë të pasur: prapaskenat e betejës së qeverisë me Bankers Petroleum

Dy raporte të panelit të ekspertëve mbi mosmarrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe Bankers Petroleum mbi shfrytëzimin e burimeve të naftës së Patos Marinzës, të disponuara nga BIRN, zbulojnë se kompania kanadeze e ka “shkelur” marrëveshjen në disa drejtime, por pala shqiptare ka dështuar me sukses të ofrojë prova për dëmin financiar të pësuar.

Dy raportet e ekspertëve mbi mosmarrëveshjet mes palës shqiptare dhe kompanisë Bankers Petroleum mbi kostot e nxjerrjes së naftës për vitin 2011 të siguruara nga BIRN tregojnë se paneli i ekspertëve konkludoi në disa raste se Bankers ka kryer shkelje në procedurat e tenderimit, por në fund, kompania fitoi të drejtë për shkak se ekspetët nuk morën prova të mjaftueshme nga pala shqiptare që të tregonin se shkeljet e vërtetuara kanë shkaktuar dëm financiar. Ndërkohë, raportet hedhin dritë mbi procedurat e prokurimit të përdorura nga Bankers si dhe listën e kompanive kontraktore.

BIRN analizoi veçmas raporteve bilancet e kompanive kontraktore të Bankers, të cilat rezultojnë nga bizneset më fitimprurëse në vendin tonë, një aspekt tjetër i dyshimtë i veprimtarisë së kompanisë më të madhe në Shqipëri. Normat e stërmëdha të fitimeve neto të kontraktorëve të Bankers, të cilat, në disa raste arrijnë në deri 40 për qind mbi të ardhurat, bien ndesh me faktin që vetë Bankers rezulton me aktivitet ekonomik me humbje. Diferenca është që Bankers i nënshtrohet një norme tatimi mbi fitimi në masën 50 për qind në rast se realizon fitime, ndërsa kompanitë nënkontraktore i nënshtrohen normave të tatimit mbi fitimin në masën 10 për qind, (për periudhën deri në vitin 2014) dhe në masën 15 për qind pas vitit 2015.

Raportet e ekspertëve, të cilët mbajnë vulën “konfidenciale” janë përgatitur nga kompania Navigant dhe nga kompania Price Waterhouse Cooper në përputhje me marrëveshjen e arritur më herët këtë vit mes Bankers dhe Qeverisë. Raportet detajojnë pretendimet e palëve dhe dalin në konkluzionin se në “disa raste” Bankers kreu procedura tenderimi të pamjaftueshme ndërsa në një rast nuk kreu fare procedura tenderimi për nënkontraktorët e vet. Megjithatë, paneli me tre ekspertë konkludoi se pavarësisht shkeljeve, “palët nuk ofruan prova bindëse për të sugjeruar se kostot qenë të paarsyeshme”, duke ia ngarkuar në këtë mënyrë përgjegjësinë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe paaftësisë së kësaj agjencie për të monitoruar dhe identifikuar shkeljet në kontratën më të madhe koncesionare të Shqipërisë aktualisht.

Raporti vëren se në të paktën një rast, marrëveshja ëshkë shkelur në thelb nga Bankers Petroleum, por edhe në këtë rast, ekspertët rezultuan të ndarë në opinion nëse shkelja ka sjellë apo jo dëm për shtetin shqiptar. Rasti në fjalë lidhet me kontratën e Bankers me kompaninë shqiptare Albstar për punime civile, kontratë që për vitin 2011 kushtoi 22.9 milionë euro dhe për të cilën, dy nga tre ekspertët konkluduan se nuk kishte dëm ndërsa njëri, nga kompania Navigant, konkludoi se kishte dëm dhe shkelje dhe se për rrjedhojë, duhej të klasifikohej si kosto e parekuperueshme.

Mosmarrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Bankers nisi në vitin 2014, kur Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, (AKBN) institucioni që përfaqëson Shqipërinë në kontratën koncesionare, kreu një auditim të bilancit bankers dhe procedurave të prokurimit të kompanisë për vitin 2011dhe konkludoi se pjesa dërrmuese e shpenzimeve të kompanisë për këtë vit qenë të parregullta.

Bazuar në auditimin e AKBN-së, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i dorëzoi Bankersit një pretendim për 57 milionë dollarë taksa të papaguara. Bankersi kundërshtoi dhe kërcënoi me proces arbitrazhi, gjë që shtyu qeverinë të bie në marrëveshje për të pranuar krijimin e një grupi të pavarur ekspertësh për të analizuar situatën. Ekspertët i dhanë të drejtë Bankers.

Qeveria shqiptare duhet të vendosë brenda pak ditëve të ardhëshme nëse do t’i drejtohet gjykatës së Arbitrazhit për të hedhur poshtë raportin e ekspertëve apo jo. Sipas një letre të dërguar nga avokati i palës shqiptare Curtis, letër që rrodhi në media pak ditë më parë, qeveria duhet t’i drejtohet arbitrazhit. Për momentin, qeveria nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë. “Çështja është në diskutim”, i tha një burim BIRN në kushtet e anonimatit.

Proteleum nënshkroi një kontratë koncesionare me qeverinë shqiptare në vitin 2004, në bazë të së cilës, fitonte të drejtën për të shfrytëzuar burimin e naftës Patos-Marinzë, fusha më e madhe naftëmbajtëse në Shqipëri. Kontrata koncesionare parashikonte që Bankers duhej të investonte për të rritur prodhimin e naftës dhe duhej t’i paguante qeverisë shqiptare 50 për qind normë fitimi pasi të shlyente investimet fillestare. Që nga fillimi i punës, ka pasur ankesa me supozimin se Bankers kryen shpenzime të tepërta për të mbajtur kompaninë me humbje në vijimësi dhe për të shmangur në këtë mënyrë pagesën e tatimit mbi fitimin. Duke u përballur me këtë realitet, qeveria shqiptare vendosi një taksë të posaçme të njohur si “renta minerare” në vitin 2009, në masën 10 për qind mbi prodhimin, por ia njohu këtë taksë të re si kosto e zbritshme.

Me kalimin e viteve, rritja e prodhimit dhe çmimet e larta të naftës e bënë Bankersin kompaninë mëtë madhe në Shqipëri për nga xhiroja vjetore. Në vitin 2014, Bankers realizoi të ardhura prej 853 milionë dollarësh ose rreth 5.5 për qind e të gjithë prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë. Të ardhurat e qeverisë shqiptare në formën e rentës minerare në atë vit qenë86 milionë dollarë.

Çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ra në kolaps gjatë vitit 2015 ndërsa Bankers bllokoi investimet që nga fundi i vitit të kaluar, gjë që solli edhe rënie të prodhimit. Rrjedhimisht, të ardhurat e qeverisë nga renta minerare ranë gjithashtu.

Artikulli i plotë nga Reporter.al