Gjetaj: Ka dyshime edhe për varreza tjera në veri

Gjetaj: Ka dyshime edhe për varreza tjera në veri
Burimi i fotografisë: Foto nga arkivi

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjeturit, Prenk Gjetaj, ka deklaruar se në veri të Mitrovicës pranë varrezave myslimane dyshohet që ka varrezë masive me trupa të të pagjeturve shqiptarë, që nga lufta e fundit në Kosovë.

“Në pjesën veriore të Mitrovicës, te varrezat myslimane, por ka edhe lokacione në pjesë tjera të Kosovës”, ka thënë për Insajderin, Prenk Gjetaj.

Sot kanë nisur gërmimet nën dyshimin për varrezë masive pranë urës së lumit Ibër në Mitrovicë, pranë xhamisë së vjetër, e cila është rrënuar gjatë luftës.

Por gjetaj ka thënë se deri më tani nuk kanë gjetur asgjë, duke shtuar se gërmimet vazhdojnë ende.

Sipas tij, në lokacionet që ata kanë identifikuar deri më tani, dyshohet për varreza masive të të pagjeturve shqiptarë.

Ai ka thënë se puna e tyre nuk varet nga nacionaliteti i viktimave që kërkojnë.

“Kur përpunohen informacionet – aty ku ka informata për shqiptarë kërkojmë shqiptarë; ku ka serbë kërkojmë serbë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike”, ka thënë Gjetaj.

Për lokacionet e dyshuara të cilat janë identifikuar nga ky komision, Gjetaj ka thënë se ka edhe urdhëresa gjyqësore për vlerësimin e tyre. Tash jemi edhe në konsultime me pjesën e EULEX-it, për t’i futur në plane veprimi për këtë çështje”, ka shtuar Gjetaj.

Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, numri i personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, ka qenë 3.200, por ky numër është përgjysmuar në 1 mijë e 666, në dhjetë vitet e fundit./Insajderi.com