Gjermania kritikon opozitën shqiptare

01.03.2017 17:24
Gjermania kritikon opozitën shqiptare

Qeveria gjermane ka reaguar për herë të parë ndaj situatës së krijuar në Shqipëri pas protestave të opozitës, e këtë e bëri përmes zëdhënësit të Kancelares Angela Merkel.

Steffen Seibert është pyetur në lidhje me bllokimin që i ka bërë opozita Parlamentit për dy javë rresht dhe deklaratat e Lulzim Bashës se ka marrë mbështetjen e shumë përfaqësuesve të huaj për të rrëzuar ekzekutivin, sipas tij të korruptuar të Edi Ramës, e për të caktuar një qeveri teknokrate, e cila të qëndrojë në pushtet deri në muajin qershor.

Pyetjes se “a është qeveria federale e Gjermanisë një prej përfaqësuesve të huaj që mbështesin pretendimin e Bashës”, Seibert iu përgjigj duke thënë se “nuk është në dijeni të kësaj deklarate të udhëheqësit të opozitës shqiptare”.

“Ajo që mund t’iu them është se qeveria federale e Gjermanisë mbështet kursin e reformave të qeverisë shqiptare. Siç e dini, Shqipëria ka ndërmarrë disa hapa drejt një reforme gjithëpërfshirëse të sistemit gjyqësor. Gjermania asiston dhe e mbështet në mënyrë të veçantë këtë proces të Reformës në Drejtësi, duke dërguar edhe gjykatës gjermanë në misionin EURALIUS”, deklaroi ai.

Është në interesin e popullit të Shqipërisë, shumica e të cilit, meqë ra fjala, e dëshiron reformën e lartpërmendur, që të ecë përpara në këtë proces. Për këtë arsye, është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të punojnë së bashku në Parlament. Nisur nga kjo, qeveria federale e Gjermanisë i bën thirrje të gjitha partive politike të Shqipërisë të zbusin mosmarrëveshjet. Thirrjet për dhunë, që dëgjohen herë pas here, nuk mund dhe nuk duhet të jenë një nga mjetet për të imponuar pozicione politike kontroverse”, tha Seibert.