Gjermania del nga Schengen-i?

Ministri i ri i policisë gjermane kërkon përkrahjen e votuesve të së djathtës ekstreme, ka paralajmëruar hap radikal në kontrolle kufitare.

Gjermania del nga Schengen-i?

Ministri i ri brendshëm gjerman Horst Seehofer dëshiron që kontrollin nëpër kufij gjermanë ta mbajë për kohë të pacaktuar si dhe ta zgjerojë nëpër vendkalime tjera me çka praktikisht Gjermania do të dilte nga sistemi Schengen, transmeton e përditshmja Welt am Sonntag.

“Kontrollet e kufijve ndaj fqinjëve duhet të jenë aq gjatë në fuqi derisa Bashkimit Evropian nuk i shkon për dore mbrojtja dhe kontrolli efikas i kufijve të jashtëm. Por, unë nuk shoh që së shpejti kjo do të ndodh”, ka thënë Seehofer nga Unioni Kristiano-Social (CSU) në një intervistë për Welt am Sonntag, transmeton Insajderi.com.

Ai njëkohësisht ka paralajmëruar se kontrollet duhet të zgjerohen edhe nëpër vendkalime tjera kufitare gjermane.

“Momentalisht shumica e vendkalimeve kufitare në Gjermani nuk janë nën kontroll të vazhdueshëm. Ne duhet të bisedojmë mbi këtë se a do të mbetet kështu. Nuk bëhet fjalë vetëm për pengimin e hyrjeve ilegale por edhe për funksionet tjera mbrojtëse”, ka thënë Seehofer.

Momentalisht me kërkesë të Gjermanisë është shfuqizuar sistemi i Schengen-it  në kufirin gjermano-austriak si dhe me kërkesë të Danimarkës në kufirin gjermano-danez.

Seehofer është angazhuar edhe për dëbim sistematik të personave të cilëve i është refuzuar kërkesa për azil. Ai ka kërkuar përforcim të personelit nëpër gjykata të cilat vendosin mbi kërkesa për azil dhe dëbime dhe ka premtuar ndihmë shteteve federale në procesin e dëbimit të personave për të cilët nuk ekziston baza juridike për qëndrim në Gjermani.

Kryetari i CSU-së i cili edhe më herët ishte një nga kritikët më të ashpër të politikës liberale ndaj imigrantëve të Angela Merkel-it ka paralajmëruar, pas rezultatit të dobët të partisë së tij në zgjedhjet e fundit parlamentare, luftë për votuesit të cilët janë kthyer kah AfD-së e cila është kundër imigrantëve./Insajderi.com.