Gjermani, gjoba të majme për publikimin e lajmeve të rreme

14.03.2017 19:10
Gjermani, gjoba të majme për publikimin e lajmeve të rreme

Kompanitë e rrjeteve sociale mund të përballen në Gjermani me gjoba deri në 50 milionë euro, nëse nuk reagojnë shpejt për të hequr përmbajtje të jashtëligjshme, përfshi këtu edhe lajmet e rreme.

Ministri gjerman i Drejtësisë ka hartuar një projektligj, që synon vendosjen e gjobave si pjesë e përpjekjeve për të mbikëqyrur bisedat apo publikimet “helmuese”.

Heiko Maas tha se përpjekjet vullnetare të rrjeteve sociale për të zgjidhur këtë problem nuk kanë qenë të mjaftueshme deri më tani. Propozimi kërkon nga faqet “online” që të ofrojnë linja ndihmëse 24 orë në 24, si dhe të fshijnë përmbajtjet e raportuara brenda 7 ditësh.

Rrjetet sociale si “Twitter” dhe “Facebook” po përmirësoheshin në trajtimin e përmbajtjeve të paligjshme, vlerësoi Maas, por që të dyja këto kanë ende shumë punë për të bërë.

Maas citoi disa hulumtime, që thonë se “Twitter” fshin vetëm 1% të fjalimeve me baza urrejtjeje që bëhen nga përdoruesit e saj, ndërsa “Facebook” vetëm 39% të tyre. “Kjo është ende e pamjaftueshme”, u shpreh ai.

Racizmi dhe urrejtja besohen të jenë bërë mbizotëruese në mediet sociale në Gjermani pas mbërritjes së një numri tejet të madh refugjatësh në vitin 2015.

Çdo përmbajtje që është “qartësisht kriminale” duhet të hiqet brenda 24 orësh, sipas kushteve të vendosura në projektligj. Nëse pas një hetimi rezulton që përmbajtja të jetë kriminale, atëherë ajo duhet të hiqet brenda 7 ditëve. Njerëzit që publikojnë përmbajtje ilegale duhet të informohen mbi fshirjen e tyre, njofton TCH.

Projektligji i propozuar u kërkon rrjeteve të punojnë me staf të kompletuar, me sisteme raportuese për çdo orë dhe të emërojnë një person përgjegjës për trajtimin e ankesave. Ky person mund të përballet me një gjobë individuale deri në 5 milionë euro, nëse kompanitë shkelin ligjet që mbikëqyrin publikimin e materialeve.

Maas tha se ligji mund të aplikohet edhe ndaj artikujve të ashtuquajtur “fake neës”, nëse rezulton që të jenë gojëlëshuar, diskreditues apo shpifës.

“Facebook” nuk komentoi drejtpërdrejt propozimin e këtij ligji, por tha se testimet që ka kryer tregojnë se rrjeti social ka hequr një përqindje më të madhe të përmbajtjeve të paligjshme, nga sa pretendon ministri gjerman i Drejtësisë. Rrjeti social tha se pritet të punësojë rreth 700 persona në Berlin deri në fund të këtij viti për t’u angazhuar në përpjekjet për të shqyrtuar materialet e raportuara.

Gjithsesi, shoqata e tregtisë dixhitale, “Bitkom” e ka kritikuar këtë projektligj. Duke folur për “Financial Times”, ajo tha se kërkesa për të hequr materialet brenda 24 orësh në faqe që kanë mbi një miliard postime në ditë është “krejtësisht e pamundur për t’u zbatuar në aspektin operacional”.