Gjenerata Ronaldo: Si superylli portugez e ndryshoi botën e futbollit [Video]

Gjenerata Ronaldo: Si superylli portugez e ndryshoi botën e futbollit [Video]

Kur aeroplani juaj ndalet në ishullin portugez të Madeiras, udhëtimi juaj do të përfundojë në aeroportin ‘Cristiano Ronaldo International Airport’.

Nga aty, ju mund të merrni një makinë deri në qytet, ku do të shkoni drejt ‘Pestana CR7 Funchal’, hotelit më me emër të Madeiras.

Aty, golashënuesi më i mirë në historinë e Real Madridit, Cristiano Ronaldo, do të ju ‘shikojë’ nga muret e korridorit.

Përveç fotografive të panumërta të portugezit, aty do të gjeni edhe qilima me ngjyrë të gjelbërt, që do të ju kujtojnë një fushë futbolli – arena e pasurisë dhe lavdisë së portugezit, shkruan Insajderi.

Nëse qëndroni aty për një natë do të merrni autografin e portugezit në një kartolinë, të nënshkuar nga vetë ai. Qëndroni edhe një natë tjetër, dhe do të merrni një top të nënshkruar futbolli.

Një tjetër hotel Pestana CR7 – pjesërisht nën pronësinë e yllit të Real Madridit – është hapur edhe në Lisbonë, me dy të tjerë të cilët pritet të hapen në Madrid dhe në New York.

Shtrihuni dhe relaksohuni, mbulohuni me batanijen tuaj CR7 dhe shikojeni dokumentarin “Ronaldo”. Bëni dush dhe veshni të brendshmet e tuaja CR7, xhinset dhe fanellën tuaj CR7. Më pas, përdorni parfumin tuaj CR7 dhe jeni gatë për të dalur jashtë.

Jashtë do të shihni ‘Museu CR7’, i cili i dedikohet arritjeve indivudale dhe kolektive të portugezit. Do të shihni replika të trofeve të tij të Ligës së Kampionëve dhe Topave të Artë.

Ronaldo është sportisti më i njohur dhe më i paguar në botë, me pasuri e cila besohet se kapi vlerën e 88 milionë dollarëve vetëm në vitin 2016, sipas ‘Forbes’, përcjell Insajderi.

Instagrami i tij raportohet se i sjell atij fitime prej 310 mijë funteve për postim të sponsoruar – duke e renditur atë vetëm prapa Kim Kardashian dhe Selena Gomez në listën e më të paguarve.

Ai është i admiruar, i lakmuar dhe i kopjuar – edhe për ato se çfarë mund t’i bëjë në fushë, por edhe ato që mund t’i arrijë jashtë saj.

Shkoni kudo në botë dhe do të shihni fëmijë dhe të rritur me fanellat e tij të Portugalisë dhe Real Madridit. Çdoherë kur jeni në pritje të një ndeshje në FIFA, ai do të ju ‘shikojë’. Nuk mund t’i ikni atij.

“Si një portugez, ne jemi krenar që e kemi atë. Ashtu si ishim në kohët e Eusebios, Figos dhe Rui Costas”, ka thënë ish-bashkëlojtari i tij Nuno Gomes për ‘Goal’.

Ronaldo është i jashtëzakonshëm në mënyra që asnjë lojtar nuk ka qenë si ai. Ish-numrat 7 të Manchester Unitedit në të kaluarën, George Best dhe David Beckham, krijuan trende dhe mani të tyret, shkruan Insajderi.

Por, asnjëra prej këtyre nuk i afrohet fuqisë që Ronaldo ka në fushë, dhe statusi i yllit që gëzon jashtë saj.

Askush tjetër nuk ka arritur numrin e golave, trofetë, dhe momentet e arta të cilat Ronaldo i ka shijuar gjatë karrierës së tij, me joshjen unike të një ylli të Hollywoodit.

Ronaldo mbetet i vetëm në majë, si ikona më e madhe në futboll e të gjitha kohërave.

Ndikimi i Ronaldos si futbollist është i dokumentuar mirë me katër trofetë e Ligës së Kampionëve, katër Topat e ARtë, dhe tani, pesë çmime të ‘Goal 50’.

“Ronaldo është futbollisti që bota mendoi se ishte David Beckham, dhe ikona si e cila David Beckham prezentoi veten”, thotë autori dhe gazetari Mark Simpson.

Askush nuk ka shënuar më shumë gola për Real Madridin apo Portugalinë, dhe 32-vjeçari do të mbahet mend si një prej më të mirëve të të gjitha kohërave.

“George Best ka thënë se shumë futbollistë janë krahasuar me të, por vetëm krahasimi i tij me Ronaldon i kishte lënë përshtypje”, vazhdon Simpson.

“Best ishte një lloj i ri i futbollistit, ai ishte një pop yll i futbollit. Mund të thuani se në vitet e 90-ta ishte David Beckham ai i cili dukej si më i përafërti i një futbollisti me statusin e një pop ylli.”

“Pas Ronaldos, standardi është rritur tejet shumë për një futbollist të suksesshëm në arenën globale”, shkruan ai.

Si 32-vjeçar, Ronaldo vazhdon të jetë në kulmin e karrierës së tij. Qëndrueshmëria e tij, e kombinuar me fizikun e jashtëzakonshëm, do të thotë se ai do të jetë në formë edhe për një kohë.

Vendlindja e tij po shndërrohet ngadalë në ‘Tokën Ronaldo’, dhe në të ardhmen do të shikojmë pas në arritjet e djaloshit nga Madeira i cili ‘pushtoi botën’. /Insajderi