Gjeneral Kollçaku betohet para presidentit

Gjeneral Kollçaku betohet para presidentit

Në presidencë u zhvillua sot ceremonia solemne e betimit të Shefit të ri të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Bardhyl Myrteza Kollçakut para Presidentit të Republikës, njëkohësisht Komandatit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Ilir Meta.

Pas nderimit të Himnit Kombëtar, u lexua dekreti i Presidentit të Republikës që emëron Gjeneral Brigade Bardhyl Myrteza Kollçakun si Shef të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Gjeneral Brigade Kollçaku u betua se: “do t’i bindet Kushtetutës e ligjeve, do t’i shërbejë me ndershmëri vendit dhe do të mbrojë interesat e Republikës së Shqipërisë”, duke e falënderuar Komandantin e Përgjithshëm për besimin dhe vlerësimin e madh si dhe duke shprehur njëkohësisht përkushtim e tij ndaj përmbushjes me sukses të këtij misioni të lartë.

Në ceremoni ishin të pranishëm Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Atashe Ushtarakë të vendeve të NATO-s dhe atyre mike e partnere të akredituar në vendin tonë, etj.

Në fjalën e Tij të rastit Presidenti Meta, duke i uruar suksese Gjeneral Brigade Kollçakut në detyrën e lartë, shprehu fillimisht mirënjohjen e e të sinqertë, respektin dhe konsideratat më të larta për burrat dhe gratë në uniformë që kanë kontribuuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë me përkushtim dhe sakrifica të panumërta për mbrojtjen e vendit dhe interesave tona kombëtare gjatë 105 viteve të shtetit shqiptar.

Presidenti i Republikës falënderoi edhe 153 ushtarakët shqiptarë që janë me mision në Afganistan, Detin Egje, Letoni, Mali, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë si dhe koleget e tyre që po kontribuojnë me vetëmohim për shuarjen e zjarreve apo emergjenca të tjera civile në shërbim të qytetarëve tanë.

“Shpreh besimin dhe angazhimin tim institucional, që përkushtimi shembullor, sakrificat sublime, dhe ndershmëria e spikatur e ushtarakëve, do të respektohen dhe vlerësohen nga ana ime, dhe të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, bazuar në trinomin tuaj: “Detyra, Nderi, Atdheu.” – nënvizoi Presidenti Meta.

“Si Komandant i Përgjithshëm ju garantoj se përkushtimi dhe kontributet e ushtarakëve do të maten, konsiderohen, vlerësohen dhe promovohen vetëm sipas meritës, integritetit dhe vlerave profesionale të gjithsecilit prej pjesëtarëve të Forcave tona të Armatosura.

Çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, përmirësimi buxhetit të mbrojtjes, modernizimi dhe rritja e kapaciteteve operacionale të Forcave tona të Armatosura, përmbushja e detyrimeve dhe përgjegjësive në kuadër të NATO-s, do të mbështeten fuqimisht nga unë për 5 vitet në vijim.” – vuri në dukje qëndrimin e Tij të palëkundur Presidenti i Republikës.

“Ju uroj shumë suksese edhe në organizimin, për herë të parë në Shqipëri, më 15-17 shtator të këtij viti, të takimit të Shefave të Shtabit të vendeve anëtare të NATO-s, një ngjarje e rëndësishme për vendin tonë dhe Forcat tona të Armatosura!” – u shpreh Presidenti Meta në përfundim të ceremonisë së betimit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.