Gënjeshtra e Shpend Ahmetit apo e pavërteta e Selim Pacollit

Gënjeshtra e Shpend Ahmetit apo e pavërteta e Selim Pacollit

Zyrtarisht kishte filluar me 8 nëntor. Atë ditë Shpend Ahmeti si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të komunës së Prishtinës kishte prezantuar koalicionin e arritur me ish-kandidatin e Aleancës Kosova e Re, Selim Pacollin, që nuk kishte arritur të shkonte në balotazh.

Ahmeti kishte prezantuar një program 16 faqesh ku mes të tjerash ishte postuar edhe online, ku të gjithë do të mund të shihnin marrëveshjen e arritur mes dy partive. Por Ahmeti kishte këmbëngulur për diçka në konferencën e jashtëzakonshme.

Ahmeti kishte hedhur poshtë çdo mundësi që me AKR-në është diskutuar për ndarjen e posteve. Thoshte se me rëndësi janë pikat programore.

”Program i përbashkët me 16 faqe në asnjë faqe nuk shkruan për poste e për ndarje, ne mendojmë që e rëndësishme është të merremi me pika programore”, kishte deklaruar Ahmeti në konferencën për media, raporton Insajderi.

Ndërkohë që në këtë konferencë për media edhe Pacolli insistonte që programi i tij të merret në konsideratë nga partneri i koalicionit.

”Ne kemi arritur që me VV të vazhdojmë rrugëtimin bashkëqeverisjes, synim i imi është që të bëjë një kontratë bashkëqeverisje me cilindo subjekt që merr në konsideratë programin tim. Unë kam një kontratë me Ahmetin dhe kjo do të jetë implementimi i pikave kryesore të këtij plani”, thoshte Pacolli para dy muajve.

Por, pas dy muajve Pacolli ka demantuar një fjalë që Ahmeti e kishte thënë në këtë konferencë. Pacolli ka deklaruar sot shkurt se posti i nënkryetarit do t’i takojë atij sepse kështu ka qenë marrëveshja parazgjedhore.

“Ka qenë në marrëveshjen e bërë parazgjedhore. Unë do të jem nënkryetar i Prishtinës”, ka deklaruar sot Pacolli për indeksonline.

Pacolli edhe sot ka mbrojtur qëndrimin se programi i AKR-së do të merret parasyshë nga partneri i koalicionit Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne me Ahmetin dhe me Vetëvendosjen kemi një projekt të përbashkët ku i kemi gjetur pikat e përbashkëta dhe i kemi futur bashkë në një projekt dhe ato të cilat kanë pasur një divergjencë të caktuar, e kemi gjetur një mundësi që të futen në fazën e dytë dhe të trajtohen si projekt i përbashkët”, ka deklaruar Pacolli./Insajderi.com