Gënjeshtra e Pavarësisë: Rita Ora nuk e ka konfirmuar koncertin me 17 shkurt

12.01.2018 22:06
Gënjeshtra e Pavarësisë: Rita Ora nuk e ka konfirmuar koncertin me 17 shkurt

Dy institucionet kryesore në Kosovë, Qeveria e Kosovës dhe Zyra e Presidentit të Kosovës, kanë gënjyer publikisht kur kanë thënë se këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora do të mbajë koncert në Prishtinë, me rastin e festimit të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar agjenti i saj, Sol Parker nga “Coda Agency”

Të premtën, Adil Behramaj këshilltari i presidentit Hashim Thaçi tha se ardhja e këngëtares Rita Ora në Kosovë tashmë është e konfirmuar dhe se me ekipin e ylllit botëror tashmë janë vetëm duke u dakorduar për detajet e koncertit.

“Po, tashmë e kemi të konfirmuar ardhjen e Rita Orës në Prishtinë. Aktualisht jemi duke u koordinuar me ekipin e këngëtares rreth koncertit që do ta mbajë më 17 Shkurt”, ka deklaruar Behramaj për “Telegrafin”.

Madje Zyra e Presidentit Thaçi përmendi edhe orën se kur do të fillojë koncerti i Rita Orës, duke aluduar në orën 22:00.

E një ditë para tij, Jetlir Zyberaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe minsitrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, i tha portalit “Lajmi” se Rita Ora do të vijë me aeroplanin privat të Pacollit.

“Rita Ora do të vije në Kosovë për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë. Jemi dakorduar që ajo do të vijë me avionin privat të zotit Pacolli. Pra zoti Pacolli i ka ofruar mundësinë që të vije me avionin e tij pasi që ajo është ambasadore e Kosovës që përfaqëson vendin më së miri nëpër botë”, ka thënë ai.

Por të dyja këto “konfirime” të Qeverisë dhe Presidencës i ka mohuar vet agjenti i Rita Orës, Sol Parker nga “Coda Agency” nën menaxhimin e së cilës është këngëtarja e njohur.

Insajderi ka pyetur agjentin e Rita Orës nëse ardhja e saj tashmë është e konfirmuar por ai e ka përgenjshtruar një gjë të tillë.

“Jo mesa e di unë. Ajo nuk do të performojë”, ka thënë Parker përmes emailit të tij.

Ai ka treguar se në datën 17 shkurt, Rita Ora është e angazhuar në një aktivitet të një reklame në Japoni, por që nuk e ka asnjë konfirmim për të perfomuar në Kosovë./Insajderi.com