Gënjeshtra e Labinot Tahirit pas takimit me Ramush Haradinajn

08.08.2017 21:39

Këngëtari i turbo-folk muzikës Labinot Tahiri krahas dasmave, ka agjendë të zënë edhe me takime të rëndësishme. Të martën ai është takuar me kandidatin për kryeministër Ramush Haradinaj por vet Tahiri kur doli nga takimi e tha një gënjeshtër.

Gënjeshtra e Labinot Tahirit pas takimit me Ramush Haradinajn

Stafi i hotel “Emerald” është i zënë. Ata thirren vazhdimisht nga pronarët e dasmës e cila është gati për të filluar, andaj edhe shqetësimi i mikpritësve kuptohet nga stafi.

Por përderisa në dasmë do të kurorëzohet dashuria e dy personave, në katin më të lartë të këtij hoteli një deputet dhe një kandidat për kryeministër takoheshin për të kurorëzuar themelimin e Qeverisë së re.

Ramush Haradinaj dhe Labinot Tahiri janë takuar të martën në mbrëmje në hotelin “Emerald” për të diskutuar rreth mundësisë që Tahiri si deputet i AKR-së ta votojë Qeverinë e Haradinajt.

Krejt themelimi i kësaj Qeveria tash varet nga këngëtari i turbo-folk muzikës pasi partia e tij AKR në koalicion me LDK-në dhe Alternativën janë kundër Qeverisë Haradinaj. Nëse Tahiri voton pro Haradinajt bashkë me Teuta Rugovën e LDK-së, atëherë Haradinaj mund të bëhet kryeministër.

Por Tahiri nuk thotë asnjë gjë pasi del nga takimi. Madje mohon se sapo doli nga takimi me Haradinajn.

“Jo nuk është e vërtetë. Nuk e kam takuar askënd”, i tha Tahiri,  Insajderit.

Kur Insajderi insistoi se e dinte më kë ishte takuar dhe filloi ta fotografonte atë, reagoi stafi që po e përcillte Tahirin.

Por jo vetëm stafi i Tahirit ishte në pritje të “shefit”. Aty qysh prej orës 18:00, në restorantin e hotelit në katin përdhes, disa kat më poshtë sesa ku mbahej takimi mes Haradinajt dhe Tahirit, ka qëndruar edhe një grup tjetër.

Jashtë hotelit tek hyrja qëndrojnë tre vetura. Dy prej tyre kanë regjistrimin e Ferizajt një tjetër i Prishtinës.

Në orën 19:35 nga hoteli del Labinot Tahiri. Nga restoranti zgjohen edhe njëri grup, ai që përcjellë këngëtarin, tashmë deputetin.

Kur truprojet kuptojnë që Insjaderi po fotografon ata kërkojnë që të fshihen fotografitë. Më pas kërkuan edhe mjetin identifikues duke insistuar në fshirjen e fotografive.

Por ata i ndalon Tahiri. Ani pse vet ai nuk pranon të flasë rreth takimit, madje duke mohuar se është takuar me Haradinajn.

Kur Insajderi e pyeti nëse do të votojë për Haradinajn ai nuk thotë asnjë fjalë. Vetura e tij ikë nga parkingu para hotelit ndërsa brenda mbeti Haradinaj.

E Haradinaj nuk ka dalë nga aty për më shumë se 1 orë pasi ka dalë Tahiri.

E kjo nuk është hera e parë që Tahiri takohet me dikë nga koalicioni PAN.

Të enjten e kaluar Tahiri është nxjerr prej Adem Grabovcit nga një dasmë në Drenas. Për më shumë së gjysmë ore ata kanë biseduar për votën e tij.

Tahiri për dallim nga takimi me Haradinajn ku ka mohuar se e ka takuar, atë ditë e kishte pranuar se është takuar me Grabovcin.

Për Insajderin kishte thënë se mezi po pret ta shoh Ramush Haradinajn kryemistër.

Grabovci nxjerr Labin nga dasma – i kërkon votën për Veselin e Haradinajn

Ai kishte sqaruar se me Grabovcin kanë biseduar për çështjen e votës, por se sipas tij ai takohet edhe me politikanë tjerë.

Kanë kërkuar veç mu taku, jom dal edhe i kom taku miqësisht, shumë korrekt ka qenë, kurgjo tjetër”, ka thënë ai. “Po, po jam taku, s’ka kurgjo të keqe nëse takohna me Grabovcin, takona me Albin Kurtin me Rexhep Selimin me të gjithë”, ka thënë ai duke saktësuar se ka qenë i vetëm në takim me Grabovcin.

Tahiri ndërkohë ka lënë të kuptohet se në seancën e ardhshme do të votojë për Veselin dhe Haradinajn.

“Krejt varet prej vullnetit qysh e kom edhe qysh i shoh interesat e institucioneve. Hala s’jom i përcaktuar. Vullneti jem është me qenë ai (Haradinaj v.j.) kryeministër edhe e di që e gjithë klasa politike kanë mu gëzu kur të bëhet ai kryeministër”, ka shtuar Labinot Tahiri.

Kësisoj, Tahiri me votën e tij bënë shumicën e thjeshtë të PAN-it për të qeverisur. Pas rreshtimit të Teuta Rugovës në krah të PAN-it, vota e Tahirit është e 61-ta e PAN-it./Insajderi.com