Gazetarja austriake çuditet me padinë e Ramush Haradinajt kundër Gazmend Muhaxherit

Gazetarja austriake çuditet me padinë e Ramush Haradinajt kundër Gazmend Muhaxherit

Gazetarja e gazetës austriake “Der Standard”, Adheleid Woelfl shprehet e habitur se si për disa deklarata të Gazmend Muhaxherit, dhënë për tri vite më parë gazetën në të cilën ajo punon, janë përkthyer në padi kundër kryetarit të Komunës së Pejës.

Në një bisedë me Gazetën Online Insajderi, Woelfl ka mohuar t’i ketë shtrembëruar deklaratat e Gazmend Muhaxherit, në një intervistë që kishte realizuar me të në muajin nëntor të vitit 2015. Ka thënë se nuk e kupton padinë e ngritur kundër Muhaxherit nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Haradinaj e kishte paditur Muhaxherin tri vite më parë, në prill 2015, në Gjykatën Themelore të Pejës.

Haradinaj pretendon se kryetari i Pejës ka shpifur në një intervistë me gazetën austriake “Der Standard”, në të cilën kishte akuzuar Haradinajn për përfitime nga biznesi me naftë dhe me lojëra të fatit si dhe për pjesëmarrje në operacione spastrimi ndaj minoriteteve.

Në padi, Gazmend Muhaxheri ka deklaruar se intervista që ai kishte dhënë në nëntor të vitit 2015 për gazetën austriake, “është keqkuptuar dhe është keqintepretuar”.

Mirëpo, gazetarja e cila e kishte intervistuar Muhaxherin për “Der Standard”, austriakja Adheleid Woelfl ka thënë për Insajderin se në deklaratat e kryetarit të Pejës të publikuara në artikullin e “Der Standard” nuk sheh ndonjë element për ngritje të padisë kundrejt Muhaxherit.

“Kam pasur një bisedë shumë të mirë me z. Muhaxheri dhe nuk e kuptoj fare se si mund të paditet për atë që ai ka thënë. Ishte një deklaratë shumë normale e një politikani”, ka thënë Woelfl, kur është pyetur nëse ajo i ka keqinterpretuar deklaratat e Muhaxherit dhënë gazetës austriake tri vite më parë.

Sipas Woelfl, ajo që Muhaxheri ka thënë për gazetën austriake në vitin 2015 nuk është “aspak fyese dhe aspak shpifëse”.

“Ajo që tha ai nuk ishte as fyese as shpifje – ka qenë vetëm një analizë e situatës politike në Kosovë”, ka deklaruar Woelf, në një intervistë për Insajderin të enjtën. “Më duket shumë e çuditshme se si një gjykatë në Kosovë po diskuton edhe për çështje të tilla”.

Në një seancë të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore të prishtinës lidhur me padinë kundër Muhaxherit, gjyqtarja e rastit e refuzoi kërkesën që gazetarja austriake, Adelheid Woelfl të dëgjohet si dëshmitare, derisa seanca e shqyrtimit kryesor është caktuar për 9 korrik.

Përveç padisë për shpifje, Muhaxheri, në nëntor të 2015-ës, për këtë deklaratë ishte përballur edhe me protesta nga qytetarë e veteranë të luftës në Pejë. /Insajderi.com