Gazetari i RTK-së: Adem Grabovci më thoshte se “je i vetmi gazetar që po më ndihmon”

02.09.2016 20:01

Tri ditë pasi u publikua përgjimi i 23-të telefonik nga Insajderi – “Dosja e Shefave: Shërbëtorët medial të Adem Grabovcit”, ka reaguar njëri nga protagonistët e kësaj bisede, gazetari i Radio Televizionit të Kosovës Zejdush Kastrati.

Gazetari i RTK-së: Adem Grabovci më thoshte se “je i vetmi gazetar që po më ndihmon”

Në serinë e 23-të të “Dosjes së Shefave”, Insajderi dëshmon për dy gazetarë kosovar që i shërbenin ish-shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci. Njëri është drejtues i një gazete, ndërsa tjetri autor i një emisioni në RTK.

Kastrati, i cili është ende gazetar i transmetuesit publik, ka mohuar akuzat se ka shërbyer për Grabovcin, duke thënë se ai i ka ofruar “ndihmesë për tu prezantuar sa më mirë” deputetit të parlamentit të Kosovës.

Gazetari i RTK-së thotë se ai dhe Grabovci kanë pasur vetëm raport miqësor dhe se ish-zëvendësministri i Transportit e ka vlerësuar atë si gazetarë, edhe për ndihmesën që merrte nga ai.

“Që në start i pata thënë(por edhe me vone), se nëse je pjese e skenareve dhe veprimeve qe bien ndesh me ligjin, une nuk jam me ty dhe mos llogarit ne mua”, thuhet në reagimin e Kastratit.

“Kurrë dhe asnjëherë, nuk kam kërkuar benefite, ndërhyrje, intervenca, ndonjë tender,ngritje në pozite, apo për ndonjë përfitim personal,edhe pse disa herë personalisht, dhe në prezencë edhe të disa të tjerëve, më ka thënë se ‘Je i vetmi gazetar që po më ndihmon dhe të falënderohem pafundësisht’”, tregon Kastrati, raporton Insajderi.

Përkundër dëshmive të “Dosjes së Shefave”, përgjime në të cilat Grabovci dëgjohet teksa kontrollon institucionet publike dhe punëson njerëz të afërm të tij dhe të partisë së tij në pozita të larta shtetërore, gazetari Kastrati e vlerëson lartë kontributin e “mikut të tij”.

“Për Adem Grabovcin, por edhe shumë të tjerë që koontribuan për këtë Kosovë deri më 1999, ua hjeki kapuqin,e pas kësaj date, për gjithë ata qe e ban m.., jam në gjendje të përfshihem për ti dërguar aty ku e kanë edhe vendin”, tha Kastrati.

Insajderi përmes një serie bisedash telefonike të përgjuara të Adem Grabovcit me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e të tjerë, ka dëshmuar se si këta njerëz e shtrijnë kontrollin dhe ndikimin e tyre mbi secilin institucion te Kosovës, përfshirë këtu edhe në sistemin gjyqësor e prokuorial, Policinë e Kosovës, universitetet dhe mediet. /Insajderi.com

[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/T_Ojj7pRxt0″]