Gazetarët kërkojnë largimin e ambasadores turke nga Kosova

Gazetarët kërkojnë largimin e ambasadores turke nga Kosova

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga Ambasada e Turqisë në Kosovë që të kërkojë falje dhe të largojë ambasadoren Kivilcim Kiliç pas kërkesës për dënimin e gazetarit Berat Buzhala lidhur me komentet e tij të bëra javën e kaluar në kohën kur në Turqi po zhvillohej puçi ushtarak.

Përmes një komunikate për media, AGK thotë se ne e konsiderojmë shkelje të rëndë kërkesën e Ambasadës Turke drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës e ku bëhet thirrje për marrjen e masave ndaj gazetarit në fjalë.

“Njëherësh rikujtojmë ambasadën turke se gazetarët në Kosovë e kanë të drejtën e lirisë së fjalës e cila nuk guxon të rrezikohet nga askush pasi është e drejt e garantuar me ligjet dhe Kushtetutën e vendit”, thuhet në reagimin e AGK-së.

“Pas publikimit të këtij rasti, AGK-ja ka komunikuar me gazetarin Buzhala i cili ka njoftuar se “statusi në Facebook” ka qenë krejtësisht i karakterit sarkastik. Nga Ambasada Turke në Prishtinë kërkojmë që në afat sa më të shpejt të kërkojë falje për këtë veprim skandaloz, ndërkohë që poashtu kërkojmë largimin nga Kosova të Ambasadores së Turqisë Kivilcim Kiliç.”.

Ambasada e Turqisë në Kosovë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë masa ndaj një gazetari që bëri komente satirike në Facebook rreth grusht shtetit, ka bërë të ditur Reuters të martën përmes një dokumenti.

Në anën tjetër, gazetari Buzhala ka thënë se komentet e tij kanë qënë satirë./Inasjderi.com