Gazeta gjermane: Serbia dhe Kosova, tregim mbi gjakun dhe luftën

Gazeta gjermane: Serbia dhe Kosova, tregim mbi gjakun dhe luftën

Serbia dhe Kosova janë tregim i përhershëm mbi gjakun dhe tokën, luftën dhe krizën, shkruan gazeta gjermane “Zideutsche Zeitung”.

Për shkak të këtij tregimi kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka propozuar dialog të hapur shoqëror i cili do ta këpuste “nyjën kosovare” dhe “të jepte frymë në shpinë të Serbisë në rrugën e gjatë kah bashkësia evropiane”, shton gazeta.

Debati i brendshëm mbi Kosovën, të cilin e ka iniciuar kryetari Vuçiq, vërtet ka filluar në Beograd, por tash për tash nuk mund të kuptohet drejtimi i tij, shkruan “Zideutsche Zeitung”.

ZDZ vlerëson se humbja e mundshme e “djepit serb”, në Beograd është temë tabu, përkundër gjendjes faktike, sepse preambula e Kushtetutës serbe shënon Kosovën si pjesë integrale e Serbisë.

“Dhe këtu vjen Vuçiq me nxitje se duhet lirimi nga gjithë barra politike dhe emocionale”, shkruan gazeta duke shtuar se prerja e “nyjës së Kosovës”, të cilën e ka proklamuar Vuçiq si qëllimin e tij kryesor, pa dyshim do të ishte bekim për serbët dhe shqiptarët si dhe frymë në shpinë në “rrugën e gjatë kah bashkësia evropiane”.

Gazeta gjermane thotë se Vuçiq e din se qëllimi i tij i proklamuar të hyrjes së Serbisë në BE nuk mund të arrihet derisa është e hapur çështja e Kosovës.

Këtë pyetje, sipas gazetës, Vuçiq ua ka lënë bashkëpunëtorëve të vet siç është ministri i jashtëm Daçiq, i cili pas një kohe të shkurtër të shkrimit autorial të Vuçiqit mbi dialogun e brendshëm, doli me plan për ndarjen e Kosovës.

Në Beograd, debati po shkon në drejtim jo të qartë, vlerëson ZDZ.

“Përveç teorive të ndryshme konspirative, Vuçiq akuzohet për tradhti nga nacionalistët dhe rrethet e afërta me kishën ortodokse”, pretendon gazeta dhe përkujton se pikërisht Vuçiq ishte pjesë e këtyre rretheve, i cili në valën shoviniste të viteve të nëntëdhjeta arriti në maje, transmeton gazeta Metro.

“Forcat liberale, për të cilët Vuçiq është moti i dyshimtë, propozimin e tij e hedhin poshtë si retorikë boshe”, shkruan më tutje gazeta gjermane.

Gazeta gjithashtu përkujton se në iniciativën e Vuçiqit ka reaguar pozitivisht kryeministri shqiptar, derisa reagimet nga Kosova janë të përmbajtura.