Gazeta amerikane: Kulla Trump planifikohej të ndërtohej në Moskë

Gazeta amerikane: Kulla Trump planifikohej të ndërtohej në Moskë

Kompania e Donald Trumpit ka synuar të bëjë marrëveshje me një kompani të patundshmërive në Moskë derisa ai ka bërë fushatë për t’u zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara, në fund të vitit 2015 dhe në fillim të vitit 2016, raporton gazeta The Washington Post.

Duke cituar njerëz të afërt me propozimin, gazeta thotë se investitorët dhe kompania e Trumpit kanë nënshkruar planin për ndërtimin e Kullës Trump në Moskë.

Megjithatë, atyre u ka munguar toka dhe leja për të vazhduar tutje dhe projekti është braktisur në janar të vitit 2016, përpara se kanë nisur zgjedhjet fillestare në SHBA, raporton Washington Post.

Sipas gazetës, nuk është e qartë se sa ka qenë i përfshirë në negociata vetë Trump.

Presidencën Trump, prej fillimit, e kanë përcjellë dyshimet se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA, në favor të zgjedhjes së tij president.

Komitetet e Kongresit dhe FBI-ja janë duke hetuar lidhjet e dyshuara midis fushatës së Trumpit dhe zyrtarëve rusë, të cilat hidhen nga këta të fundit.

Shtëpia e Bardhë dhe Organizata Trump nuk e kanë komentuar ende raportin e fundit të Washington Post.