Gashi thotë se në Pejë u blenë me para kesh votat e komuniteteve pakicë

04.11.2017 10:20
Gashi thotë se në Pejë u blenë me para kesh votat e komuniteteve pakicë

Kryetari i AAK-së në Pejë, tani zëvendësministër i Financave në Qeverinë Haradinaj, Fatmir Gashi ka mbledhur në koktej darke falënderuese strukturat e AAK-së në Pejë, në mbyllje të fushatës zgjedhore në këtë komunë.

Para një numri të madh aktivistësh që punuan në fushatën zgjedhore në Pejë, Fatmir Gashi ka folur për rrjedhën e fushatës zgjedhore dhe natyrën e garës në këtë komunë. Gashi ka thënë se vota e 22 tetorit u fut në pazar lekësh. Fatmir Gashi u ka rikujtuar sërish pejanëve se në këtë fushatë ishte në garë me dy kryetarë të komunës së Pejës, duke aluduar në dyshen Gazmend Muhaxheri dhe Shkumbin Gashi.

“Shumë kemi punuar dhe shumë jemi tradhëtuar. Askush nuk duhet të harroj se këta dy shembuj neve vetëm sa na forcojnë. Përgjatë kësaj fushate, në njërën anë, unë isha në garë me dy kryetarë të komunës së Pejës derisa në anën tjetër e kisha të pamundur të mbrojë edhe votën e subjekteve tjera politike-opozitare të Pejës e cila qysh në xhiron e parë u fut në pazar lekësh, postesh dhe hesapesh me përfitime individuale. Krejt kësaj nëse ja shtojmë edhe blerjen në shumicë të votës (para kesh) me theks të veçantë nga komunitetet pakicë, (mbi 200 vota vetëm në Gorazhdevc dhe qindra të tjera tek komunitetet egjiptian, rom e ashkali) atëherë mund të themi me plot gojë, se vota për ne, mbetet më e çmuara, më e sinqerta, më korrektja dhe më kualitativja. Duke e vënë në keqpërdorim edhe pozicionin e vet në pushtetin lokal, të tjerët, u pa se vetëm gjatë javëve të fundit të fushatës, futën në lojë miliona euro në këmbim të votës, me zhavor, asfalt, e insfrastrukturë , e të cilat fatkeqësisht do mbeten borxhe komunale në kurriz të qytetarit në të ardhmen.”- ka thënë Fatmir Gashi i AAK-së.

Më tej, Gashi ka kërkuar nga strukturat dhe aktivistët që përkundër rezultatit, të ndjehen krenarë për angazhimin dhe punën e sinqertë.

“Kjo nuk duhet të na dëshpërojë aspak dhe ajo çfarë kam parë tek ne është pikërisht elani dhe vitaliteti i njerëzve të Aleancës për të ecur përpara. Unë dhe AAK në Pejë jemi këtu për Pejën dhe nga cilido qoftë pozicion politik, ne do të punojmë për Pejën e zhvilluar. Me kryeministrin Haradinaj dhe qeverisjen tonë, AAK shumë shpejt edhe në Pejë do të kthehet aty ku e ka edhe vendin.”, ka shtuar Gashi.

I pranishëm në këtë takim, ka folur edhe zv/Ministri i Shëndetësisë, Ali Berisha. Edeh Berisha ka garantuar se AAK shumë shpejt do ti arrijë objektivat e saja në Pejë duke u kthyer në vendin e merituar.

“Stoicizmi i strukturave në secilën sfidë dhe periudhë kohore, është mesazh i qartë se shpirti i Aleancës i ka të qarta objektivat dhe synimet edhe në Pejë. Me qeverinë Haradinaj dhe me njerëz të mirë AAK edhe në Pejë do të kthehet në pozicionin e merituar. Pavarësisht pozicionit momental politik, Aleanca çdoherë do të jetë konstruktive për Pejën, qytetin e lindjes së saj.”, ka thënë Ali Berisha.