Gashi: Ministrja Hoxha e paqartë rreth deklaratave për rastin Dehari

Gashi: Ministrja Hoxha e paqartë rreth deklaratave për rastin Dehari

Avokati i angazhuar nga familja Dehari, Tomë Gashi, ka mbajtur një konferencë për media lidhur me deklaratat e ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhënë për mediet vendëse, rreth vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Gashi ka thënë se deklaratat e ministres Hoxha janë të pabaza dhe të paqarta.

“Ku është logjika njerëzore dhe juridike që ministrja e Drejtësisë deklaron se në bazë të raportit të ekspertëve të pavarur, prokuroria duhet ta hetoj pistën se Astrit Dehari është vrarë. Në të njëjtën kohë ajo kërkon hetime për ekspertët të cilët me ekspertizë e vërtetojnë këtë”, ka shpjeguar Gashi.

Gashi ka nxjerrë disa nga deklaratat e ministres ku ajo thotë se ka bërë kërkesë në prokurori për marrjen e videove menjëherë pas rastit dhe deklaratën e saj se dhoma e Astrit Deharit është mbyllur hermetikisht pas dërgimit të tij në spital.

“Videot që janë publikuar nëpër medie të ndryshme, për të cilat ministrja Hoxha ka deklaruar se ka bërë kërkesë për marrjen e tyre menjëherë pas rastit. Ne i kemi parë shumë më herët. Në media shumë lehtë është mundur që të manipulohet me to”, ka shtuar avokati Gashi.

“Ndërsa neglizhenca tjetër që është bërë ku thuhet se qelia ku ka qëndruara Astrit Dehari, pas vdekjes së tij, nuk është mbyllur me mjete siguruese dhe kjo nuk është e vërtetë”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se deklaratat të cilat i kanë dhënë të burgosurit janë se ata kanë hyrë në qelinë e Astrit Deharit pas dërgimit të tij në spital, nga kureshtja për ta parë qelinë e tij.

“Ajo se çfarë ka thënë ministrja Hoxha është e pavërtetë”, ka potencuar avokati Gashi.

Gjithashtu, ai ka shtruar disa pyetje se “kur ministrja Hoxha do të kërkojë hetime për vrasjen e Astrit Dehari”, dhe po ashtu se “a do të kërkojë ajo që të hetohet Aleksandër Lumezi dhe Sylë Hoxha për deklaratat e tyre që i kanë dhënë për rastin Dehari”, dhe “a do të kërkojë ajo ta hetojë veten?”.

Tomë Gashi ka treguar se i ka bërë kërkesë prokurorit të Prizrenit, Metush Biraj, lidhur me ekspertët të cilët janë lejuar që të marrin pjesë në obduksionin e Astrit Deharit./Insajderi.com

Të tjera nga Insajderi, Dosja Grande:

[arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=IBejspWN6tQ&list=PLIKGlbXyvgfjg89cYApXRQ78Ul9rI_sNM&index=7″/]