Gashi: Gjykata Speciale, një nga arsyet që Qeveria s’do të jetë jetëgjatë

Gashi: Gjykata Speciale, një nga arsyet që Qeveria s’do të jetë jetëgjatë

Avokati i njohur, Tomë Gashi duke komentuar zhvillimet politike dhe debatin për krijimin e Qeverisë ka thënë se kjo do të kuptohet më 3 gusht.

Gashi ka thënë se Gjykata Speciale do të jetë njëra ndër arsyeje përse qeveria nuk do të jetë jetëgjatë.

“Unë besoj që Kushtetuta sa i përket rasteve të tilla, shumë shume e qartë, në seancën e 3 gushtit do të shihet gjithçka dhe do të hiqen teoritë e konspiracionit, a i ka apo nuk i ka dikush numrat”.

“Tani flitet për numrat, nëse arrijnë të krijojnë 61 numra, do ta formojnë Qeverinë dhe të gjithë e dinë se nuk do të jetë jetëgjatë, një prej arsyeve është Gjykata Speciale”.

Gashi që është i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë nëse partitë i përmbahen deklarimeve publike,  do të ketë vështirë në zhvillimin e punëve të Kuvendit.

“Janë çështje të partive politike, por nëse Vetëvendosja e partitë tjera i përmbahen deklaratave e premtimeve që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Veselin atëherë i bie që do të ketë vështirësi teknike për fillimin e punës së Kuvendit dhe faktikisht pa filluar punën Kuvendi, nuk mund të bëhet Qeveria”.

Madje sipas tij, matematika e numrave mund të ndryshojë për shkak të disa deklaratave kontradiktore të disa deputetëve.