Gashi dorëzoi kallëzimin penal për publikimin e pamjeve për rastin Dehari

Gashi dorëzoi kallëzimin penal për publikimin e pamjeve për rastin Dehari

Tomë Gashi, avokati i familjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Deharit, ka thënë se familja Dehari ka bërë kallëzim penal kundër përgjegjësve që kanë lejuar publikimin në media të pamjeve të  burgut ku vdiq ai.

Gashi pasi ka dorëzuar kallëzimin penal në Prokurori ka thënë se ajo është ngritur kundër katër institucioneve përgjegjëse për këtë publikim.

“Dorëzuam në prokurorinë e Shtetit Kallëzim Penal kundër personave përgjegjës: Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prizrenit, kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kundër Agjencisë së Forenzikës dhe Prokurorit të Prizrenit, Sylë Hoxhës”.

Sipas tij provat që janë siguruar nga vendi i ngjarjes, janë hedhur në publik në mënyrë të paligjshme dhe Prokurori Hoxha, dështo t’i mbronte ato.

“Ka pasur deklarata të Sylë Hoxhës dhe të tjerëve zyrtarë kompetentë, që provat janë të sigurta dhe në asnjë mënyrë nuk mund të publikohen dhe se ato po ruhen të sigurta. Në media janë publikuar pamje, pavarësisht a janë të vërteta, të rrejshme apo të montuara. Me këtë akt, ka filluar kontaminimi i provave, gjë që është vepër penale”, ka deklaruar Gashi.

Gashi tha para gazetarëve se kallëzimi Penal i ngrehë katër akuza penale, “zbulimin e paurtorizuar të provave, manipulimin me prova, zbulimi i fshehtësisë zyrtare dhe keqpërdorim i autoritetit zyrtar”.

“Në emër të familjes Dehari kërkojmë që të eliminohen nga hetimet prokuroria e Prizrenit dhe policia e Prizrenit”, ka thënë ai.