Gashi: Do ta padisim Tribuna Channel

Gashi: Do ta padisim Tribuna Channel

Borxhin prej mbi 11 mijë eurosh ndaj tij dhe bashkëshortes, zëvendëskryeministri Dardan Gashi e ka në plan t’i nxjerrë përmes gjykatës. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta padisë televizionin Tribuna Channel, në pronësi të Sejdi Demirit dhe Besjana Hotit, dhëndri dhe vajza e nënkryetari të PDK-së, Rexhep Hoti.

Gashi ka thënë për Insajderin se deri më tani kanë pritur se televizioni do t’i përmbushë obligimet e veta. Në mungesë të kësaj, ai ka thënë se mund ta padisin televizionin.

“Hala jo sepse kemi prit që do t’i përmbushin obligimet, por nuk përjashtohet as ajo mundësi që duhet m’i paditë”, ka thënë për Insajderin zëvendëskryeministri Gashi.

Përveç tij, televizioni i ka mbetur borxh edhe bashkëshortes së tij, e cila asokohe punonte si prezantuese e lajmeve.

Në televizionin Tribuna Channel, Gashi ishte autor i emisionit “Republika”, kurse bashkëshortja e tij ishte prezantuese e lajmeve. Shuma e përgjithshme e borxhit ndaj tyre kap shumën prej 11 mijë e 873 euro.

Këto të dhëna zëvendëskryeministri Gashi, i cili është edhe ministër i Diasporës, i ka paraqitur në formularin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).

Ky medium nuk ka probleme vetëm me Dardan Gashin, i cili në të kaluarën ka punuar si gazetar në revistën “Zëri” në Kosovë, Agjencinë e Lajmeve “APA” në Vjenë, të përditshmen austriake “Der Standard” si dhe korrespodent për radiot Deutsche Welle dhe BBC.

Ndërkohë, hall të njëjtë kanë edhe një numër i madh gazetarësh, kameramanësh e zyrtarë të administratës, të cilët kanë punuar në këtë medium.

Një numër i madh i ankesave kundër këtij mediumi janë dorëzuar në Inspektoratin e Punës. Ankohen se mediumi ka shkelur të drejtat e tyre, duke mos ua dhënë pagat. Lidhur me këto shqetësime, ende nuk është bërë publik asnjë vendim i  Inspektoratit të Punës./Insajderi.com