Deklarata e dëshmitarit të mbrojtur për të cilën Gashi thotë se u mohua nga vetë ai

Deklarata e dëshmitarit të mbrojtur për të cilën Gashi thotë se u mohua nga vetë ai

Avokati i Azem Sylës, Tomë Gashi  gjatë pauzës së hetuesisë së veçantë për rastin “Toka”, ka deklaruar se dëshmitari i dytë i mbrojtur ka mohuar akuzat se Syla ka tentuar të ndikojë në deklaratën e tij.

Ai tha se në vazhdim të seancës përmes marrjes në pyetje, do të mundohet që të diskreditojë deklaratën e një dëshmitari të Prokurorisë, pasi sipas Gashit, deklaratat e tij janë të pavërteta.

Mirëpo javën e kaluar Syla u arrestua dhe ju shqiptua masa e paraburgimit për dy muaj me arsyetimin se ka ndikuar te dëshmitari i mbrojtur.

Madje vetë dëshmitari i mbrojtur në një intervistë për Insajderin ka folur për dy persona që dyshohet se e ka vizituar atë njëri gjatë kohës së Syla ka qenë në paraburgim e tjetri pas daljes së tij nga burgu.

Dëshmitari ka rrëfyer për Insajderin përvojën me këta ndërmjetës.

“Personi i parë që ka qenë në kohën sa ka qenë Syla në burg më ka kërkuar që mos të dëshmojë kundër tij. Vetëm Dajën ruje”, i kishte thënë ky person, pohon dëshmitari.

Ndërkohë, pak ditë pas lirimit të Azem Sylës nga paraburgimi, dëshmitari thotë se ishte vizituar nga djali i një shoku të Azem Sylës.

“Jemi tu shku me e vizitu Dajën. A ke ndonjë porosi për të”, i kishte thënë ky person dëshmitarit.

“Nuk kam kurrfarë porosije”, ia kishte kthyer dëshmitari. /Insajderi.com