Garë e fortë për kreun e komunës në Gjilan – kandidatët e mundshëm

Garë e fortë për kreun e komunës në Gjilan – kandidatët e mundshëm

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka mësuar zyrtarisht emrin e njërit prej kundër kandidatëve të tij për kreun e komunës. Ai do të jetë Sami Kurteshi, i kandiduari nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se deputeti dhe anëtari i kryesisë së kësaj Lëvizjeje, Sami Kurteshi ka marrë besimin e aktivistëve të Gjilanit për të qenë kandidat për kryetar të Gjilanit, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

“Zotin Kurteshi e urojmë për rezultatin në procesin zgjedhor të brendshëm dhe i urojmë suksese edhe në garën për kryetar komune”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Deputeti i VV-së, i zgjedhur si deputet i Kuvendit të Kosovës nga zgjedhjet qëndrore të 11 qershorit, nuk pritet të jetë i vetmi deputet që do të sfidojë kryetarin Haziri. Edhe Zenun Pajaziti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet të jetë kundër-kandidat i Hazirit dhe Kurteshit në Gjilan.

 

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, pasardhësi i Adem Grabovcit, Zenun Pajaziti, do të jetë sipas të gjitha gjasave kandidati i PDK-së për kryetar të Gjilanit.

Lajmin e kishte bërë të ditur vet Pajaziti në televizionin Tribuna Channel duke thënë se përkundër faktit se Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka bërë ndonjë listë zyrtare me kandidaturat për kryetar komunash, megjithatë ai është angazhuar që të rikthejë fuqinë e kësaj partie në Gjilan.

 

“Edhe pse nuk janë diskutuar kandidaturat për komunat, jam kthyer kryetar dege atje jo me një ambicie personale por në njëfarë mënyre isha i obliguar ose i detyruar që të punoj në këtë qytet, që ta kthejë fitoren”, kishte deklaruar Pajaziti në muajin maj të këtij viti.
Partitë e tjera politike nuk kanë bërë të ditur emrat e kandidatëve që do garojnë në zgjedhjet lokale në Gjilan. Por, në qytetin lindor pritet një garë e ashpër mes tri partive: LDK, VV dhe PDK, të cilat dolën në tri pozitat e para në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit. /Insajderi.com