Gara për president në Slloveni: Pahor apo Sharec

Gara për president në Slloveni: Pahor apo Sharec

Pesidenti aktual i Sllovenisë, Borut Pahor nuk e fitoi numrin e mjaftueshëm të votave në raundin e parë. Në balotazh ai përballet me kandidatin e pavarur Marjan Sharec.

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Slloveni, me 23 tetor, është besuar se Borut Pahor do të fitojë pa problem. Por presidenti aktual i Sllovenisë dhe opinioni slloven u befasuan me rezultatin: Borut Pahor nuk fitoi më shumë se 47% të votave, ndaj në balotazhin e sotëm, do të përballet me kandidatin e pavarur Marjan Sharec, i cili në raundin e parë ka fituar 27% të votave. Pjesëmarrja në zgjedhjet e raundit të parë ishte më e ulëta, prej shpalljes së pavarësisë së Sllovenisë, me vetëm 44%. Para pesë vitesh këtë të drejtë e kishin shfrytëzuar 48% e rreth 1,7 milionë sllovenëve me të drejtë vote.

Pahori është favorit për fitore edhe në balotazh. Ish-kryeministri i Sllovenisë nga radhët e socialdemokratëve është në pushtet që nga viti 2012. Pahorin e quajnë ndryshe edhe si “Presidenti nga Instagrami”, sepse ate e ndjekin në këtë rrjet social rreth 40.000 persona. Por mediat sllovene e kritikojnë për faktin se gjatë fushatës elektorale nuk është marrë me problemet serioze të vendit. Pahori ka kaluar nëpër Slloveni në këmbë rreth 700 kilometra, për të kontaktuar drejtpërdrejt me qytetarët.

Nëse e fiton shumicën, që edhe pritet, Pahori do të jetë pas Millan Kuçanit presidenti i vetëm që ka fituar dy mandate. Kundërkandidati i tij Marjan Sharec është një ish-komediant, i cili në shtatë vitet e fundit ka qenë kryetari i bashkisë Kamnik. 39-vjeçari Sharec, gazetar dhe aktor, është kandidat i pavarur dhe relativisht i panjohur në Slloveni. Për dallim prej 54-vjeçarit Pahor, i cili gjatë karrierës së tij ka qenë edhe kryetar i Parlamentit, kryeministër dhe deputet në Parlamentin Evropian, Shareci ka filluar të merret me politikë para shtatë vitesh, në nivelin lokal.

Vendvotimet në Slloveni do të mbyllen në ora 19, ndërsa rezultatet e para jozyrtare priten gjatë natës. Mandati i presidentit të ri fillon me 23 dhjetor.