Game of Thrones për Kurorën e Kalifit

Game of Thrones për Kurorën e Kalifit

ISIS, si tentativë e “sunnitëve” për Kalifatin e ri të Islamit, po shkon drejt zhdukjes dhe ndikimi i Iranit “shiit” po shtohet. A do të tentojë tash ky sekt të marrë drejtimin e Kalifatit, që pretendojnë që iu mor padrejtësisht vetëm një ditë pasi që vdiq Profeti Muhamed. Nëse po tentojnë, a do të arrijë ta bëjnë këtë? Si do që të jetë rezultati i këtyre lëvizjeve, në një situatë post konflikti në Siri, një sezon i ri i “Game of Thrones për Kurorën e Kalifit” do të vazhdojë në botën Islame. Edhe shumë jetë do të humbin për një konflikt që nisi një të hëne krejt të pafajshme të një shekulli të largët në një qytet në shkretëtirën arabe

Një mik imi që me familje i takon tarikatit “Halveti” disa herë më pati rrëfyer histori të bukura nga vizitat e tij në teqenë e fshatit të tij. “Duhet të pish raki për inati të Muavisë”- kështu i mësonin të rinjtë në atë teqe dhe ky është njëri nga rrëfimet që më pati bërë përshtypje. Kjo për faktin që edhe pse “halvetitë” konsiderohen si më të afërt me “sunnitë”, prapë diçka nga lufta qindra vjeçare “shiito”-“sunnite” ka mbetur te ta.

“Game of Thrones” është një nga seritë më të shikuara në botë, ani pse është një histori e trilluar për luftën për kurorën e mbretit të mbretërve, por çka nëse tregohet një histori e vërtetë e luftës për një kurorë, për kurorën e Kalifit të Islamit, që është po aq e gjallë sa edhe ditën që nisi, mbi 14 shekuj më parë? Dhe është e dukshme kudo. Edhe në Kosovë.

Ishte 6 qershori i vitit 632 (ditë e hënë, data 12 e muajit Rebiul Evel të vitit 11 të kalendarit hënor të Islamit) dhe një puq i madh në shtetin e sapo themeluar të Islamit kishte ndodhur që ditën që vdiq themeluesi i tij. Në këtë dite u konfirmua se Ebu Bekri, vjehrri i Profetit Muhamed do të zinte vendin e dhëndrit të tij që vdiq në moshën 63 vjeçare në prehrin e vajzës së tij, gruas së tij më të dashur, Ajshes.

Myslimanët ishin përçarë keq ditën që vdiq Profeti i Islamit. Në librat e historisë islame transmetohet nga Ibn Abbasi se Umeri, një nga shokët e ngushtë të Profetit që më vonë do të bëhej edhe ai Kalif, i pati thënë se “Kur vdiq i Dërguari i Allahut, ne u ndamë në disa grupe. Aliu dhe Zubejri në shtëpinë e Fatimes, ensarët u mblodhën në shtëpinë e familjes Sai’de, ndërsa ne emigrantët nga Meka u tubuam tek Ebu Bekri”. Historinë e vazhdon me tregimin e Umerit se ai tentoi të i bashkonte këto grupe, por pa ndonjë sukses, ani pse atë natë ata tentuan që të diskutonin për të pajtuar grupet.

Umeri, i njohur si gangster para se të konvertohej në fenë e re të Muhamedit, e zgjodhi problemin e ndarjes në grupe në mënyrën se si do ti zgjidhte problemat një gjeneral që organizon puqe. Derisa Aiu, kushëriri më i afërt i Profetit, e që në një rast pati pranuar edhe të zinte vendin e Profetit në shtratin e tij me çka do të mund të vritej nga armiqtë e tij, dhe plotë sakrifica e kontribute të tij për shtetin e ri të Muhamedit, nuk ishte në dijeni të planit të Umerit e Ebu Bekrit. Ai po e përgatiste trupin e Profetit për varrim.

Enesibn Maliku transmeton se “në ditën e martë, Umer ibn Hatabi (Umeri) hipi në minberin e Pejgamberit a.s.,(Xhaminë e Profetit) ndërsa Ebu Bekri qëndroi anash këtij minberi i heshtur. Pasi u mblodhën të gjithë njerëzit në xhami, Umeri u ngrit para tyre dhe u foli: “Sa e kam dëshiruar që të jetonte Pejgamberi a.s., të ishte i fundit që do të vdiste nga ne…Por, me vdekjen e tij, Allahu nuk e la Ymetin e tij të shuhet. Ai u la dritën, e cila është Syneti i Pejgamberit a.s.. Ebu Bekri ishte shoku më i ngushtë i Pejgamberit a.s., ishte i vetmi që e shoqëroi Pejgamberin a.s. në emigrimin e tij, duke qëndruar me të në shpellën ”Thever”… Ju shumë mirë e dini se nuk ka më të mirë se ai ndër të gjithë myslimanët. Pra, ejani dhe jepini besën Ebu Bekrit si Halif i besimtarëve. Pastaj Umeri i thotë Ebu Bekrit: “ngjitu në minber!”. Ebu Bekri u ngjit dhe që aty filloi betimi i popullit ndaj Ebu Bekrit. Betimi vinte edhe nga muhaxhirët (njerëzit që emigruan nga Meka) edhe nga ensarët (ata që e pritën në Medinë)”.

Pas betimit, Ebu Bekri mbajti fjalimin e tij historik ku ndër të tjera tha edhe se “unë u zgjodha nga ju, por nuk jam më i mirë se ju. Nëse punoj mirë, atëherë më ndihmoni! Nëse punoj keq, atëherë më drejtoni”, por ky fjalim i tij i transmetuar si nënshtrim i tij ndaj atyre që e zgjodhën ishte asgjë më pak se sa përpjekja e tij për të afruar grupet që nuk pajtoheshin më faktin që ai u bë Kalif.

Ebu Bekrit aty nuk i erdhën për ti deklaruar besnikëri Aliu, kushëriri i Profetit, dhe Zubejr ibn Avvami.

Ebu Bekri menjëherë dërgoi njerëz që t’i thërrisnin ata, të cilëve, sapo arritën, Ebu Bekri u tha: “A dëshironi të thyeni besën e myslimanëve”? Që të dy të rrethuar nga turma që tashmë kishin bërë një betim, u përgjigjën: “Jo, mos ki merak, o Halif i Pejgamberit a.s.”. Pastaj u afruan dhe dhanë betimin e tyre.

Por, betimi i Aliut dhe pasuseve të tij ishte veç formal. Një grup i përkrahësve të tij do të krijohej menjëherë aty për aty, ata edhe sot njihen me atë emër që e nisën atë ditë: “shiitët”- ose në një përkthim më të përafërt do të quheshin “fansat” e Aliut.

Luftërat e këtyre dy grupeve, e pastaj edhe grupeve tjera që do të dilnin nga tendenca për ta kapur Kurorën e Kalifit, ishin të përgjakshme. Historia do të shkonte deri aty sa edhe fëmijët e Aliut do të vriteshin në beteja të tmerrshme, si ajo e “Kerbelasë” – vrasja e Husejnit. Aty u vra në fakt nipi, djali i vajzës së Profetit, me një urdhër nga Kalifi Jezid, i biri i Muaviut, apo linja e Kalifëve që do të bartej që nga puqi i asaj të hëne të datës 6 qershori 632.

Brutaliteti të mes të dy grupeve, që tash njihen si “sunnitët” dhe “shiitët” shkoi deri aty sa koka e prerë e Husjenit në Irak, nipit të Profetit që ishte prej “shiitëve”, u çua si trofe te Kalifi Jezid që ishte prej “sunniteve” dhe ai e mbajti aty për një kohë, në zyrën e tij në Sham, apo Sirinë e sotme.

Dhe, në Siri u rikthye u rikthye ky konflikt i gjallë si para 14 shekujsh me shfaqjen e Shtetit Islamik (ISIS), i cili zyrtarisht do të shpallte vetën si Kalifati i ri i Myslimanëve në Irak (Mosul), në ditën e parë të Ramazanit të viti 2014 me fjalimin e Ebu bakër el-Bagdadit.

Për tri vite sa ISIS’i ishte i fuqishëm dhe udhëhoqi me qytete të rëndësishme si Raka e Mosuli në Siri e Irak më shumë se sa besimtaret e feve të tjera, ose pa besimtaret sipas konceptit të tyre, në synimet e tyre për ti vrarë ata i kishin “shiitët”. Kjo ishte pak si hakmarrje ndaj krimeve që për një kohë të gjatë kishin bërë mbi “sunnitët” pakica udhëheqëse e Sirisë, Alevitët që aspak nuk janë të afërt me “sunitët” e për persekutimin sistematik që e kishte bërë Qeveria “shiite” e Nuri Al-Malikit në Irak, por më shumë ishte vazhdimi i luftës që nisi kur u zgjodh Ebu Bekri Kalif, e jo Aliu.

Kjo dhunë sistematike e ISIS’it ishte edhe nismë e Abu Musab al-Zarqawit apo ajo që njihej si Al-Kaida në Irak, e cila që në vitin 2003 nisi një fushatë agresive kundër “shiitëve” duke i akuzuar edhe si bashkëpunëtorë të amerikanëve, që “sunnitët” i konsideronin  pushtues të Irakut. Kundër kësaj fushate të Zarkawit ishte vënë edhe vet Osama Bin Ladeni, por nuk arriti që të ndalonte vrasjen e njerëzve në stilin: të xhiruara me kamera derisa viktimat vishnin rrobat e portokallta, që më vonë u bë stili i kryesor i ISIS’it  për ekzekutime.

Por, krejt këto ishin justifikime. Urrejtja e myslimanëve “sunnitë” ndaj atyre “shiitë” dhe anasjelltas është historike. E tillë ishte edhe gjatë tërë historisë së gjatë të Islamit në Lindje të Mesme, në Azi në përgjithësi e në Afrikë, por edhe e shtrirjes së tij në Evropë.

Dinastitë e Islamit nga “sunnitët” si ajo e Emeveitëve e më vonë edhe e Abbasitëve do të ishin në konflikte të vazhdueshëm me Perandorinë e Safavitëve të krijuar në Iran, ku njerëzit e pranuan Islamin, por jo edhe pushtetin e ardhur në mënyrë të dyshimtë pas vdekjes së Profetit Muahmed, kur Kalif u bë Ebu Bekri.

Edhe sot kjo luftë e dy sekteve të mëdha të Islamit është po aq e gjallë sa ishte që kur nisi. Arabia Saudite si lider i shteteve “sunnite” me Iranin si lider i “shiiteve” në regjion vazhdojnë edhe sot luftën “proxy”- një koncept ku dy shtete luftojnë me njëra tjetrën, por pa u përfshirë direkt dhe sulmuar territorin e njëra tjetrës. Më e qartë kjo shihet në Jemen, ku derisa grupet e “sunntëve” dhe “shiitëve” vdesin për ushqim, Saudia dhe Irani furnizojnë me armë grupet e tyre për të vazhduar luftën e tyre që e kanë sjell këtë vend në shkatërrim total.

Por, edhe në luftën kundër ISIS’it, në gamën e madhe të armiqve kundër Kalifatit të ri të Islamit, pos kurdëve më të dalluarat ishin milicitë “shiite” të përkrahura direkt dhe indirekt nga Irani. Madje edhe me pjesëmarrje direkte të gjeneralëve nga Garda Revolucionare e Khomeinit në luftimet e “shiitëve” kundër militantëve “sunnijë” të ISIS’it.

Me humbjen edhe të Rakës, pas humbjes së Mosulit, ISIS’i po zvogëlohet. E ardhmja e tij është pak a shumë një version pak më brutal se i Al-Kaidës së Bin Ladenit, dhe më pak i ashpër se sa Al-Kaida e Ebu Musab Al-Zarkawit, por copëzat e celulave që ata krijuan në Siri e Irak, në Libi e në Nigeri, e po ashtu me ish-luftëtarët e tyre në Evropë e Amerikë, do të shkaktojnë pashmangshëm viktima edhe në të ardhmen.

Por, tendenca e pare e “sunnitëve” në këtë shekull për ta marrë Kurorën e Kalifit që e humbën më 1923 në Stamboll po shuhet. Kjo ishte tendenca e drejtpërdrejtë për Kalifat, ani pse ky sekt i Islamit në këtë shekull ka pasur dy tendenca tjera para ISIS’it për ta bërë një qendër të vetme të kontrollit, dhe ato ishin tendenca e butë e Rexhep Tayp Erdoganit për tu prezantuar si lideri i myslimanëve të botës. Ai edhe është quajtur një kohë Sulltan Erdogan. Dhe e dyta tendencë e dështua e Vëllazërisë Myslimane në Egjipt me Muhamed Morsin për të nisur një lloj Kalifati.

Por, “shitët” në anën tjetër vazhduan ta mbanin një qendër për një kohë të gjatë, por kurrë nuk rrashtën së tentuari për ti bashkuar të gjithë myslimanët rreth ideologjisë së tyre, rrethe “shiizmit” që promovohet nga Irani.

Irani edhe në Kosovë, dhe në troje të tjera shqiptarë, kryesisht përmes Shoqatës “Kur’ani” dhe shoqatave tjera të lidhura me të ka përhapur “shiizmin”, shpesh edhe versionin më të ashpër të tij, duke rezultuar kështu së fundmi edhe me kërkesën e tarikateve në Kosovë, që për një kohë të gjatë ishin nën ombrellën e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) të kërkojnë ndarjen dhe krijimin e Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës. Mbjellja e përçarjes në mes të myslimanëve të Kosovës e investuar nga Irani në një anë dhe Saudia në anën tjetër nuk janë aq të dukshme tash sa mund të jenë në një të ardhme kur Irani të marrë rolë.

E, Irani tash veç ka marrë rol. ISIS’i është në shuarje, kurse Mbretëria e Arabisë Saudite ka probleme të mëdha përbrenda, aq sa është detyruar së fundmi që të e liberalizojë edhe qasjen ndaj grave duke i lejuar ato që të garojnë për zyra publike e edhe që të vozisin, por persekutimi ndaj minoritetit “shiit” vazhdon njëjta derisa vrasja e njerëzve me kryqëzim, varje në ura dhe prerje kokash, si dhe prerja e duarve për vjedhje, vazhdon njëjtë si në regjimin e ISIS, me të vetmin dallim: që Saudia nuk i transmeton ato pamje.

Kështu më 11 korrik u raportua se Saudia ekzekutoi 6 qytetarë të saj, duke e quar për këtë vit në 44 numrin e ekzekutimeve në Mbretëri, që deri në fund të viti mund edhe të dyfishohet, siç ndodhë rëndom në këtë shtet që për religjion zyrtarë ka versionin “wahabistë” të Islamit, i konsideruar nga Parlamenti Evropian si ideologjia që qëndron prapa  grupeve terroriste islamike si nga mbështetja ideologjike e tyre e edhe mbështetja financiare për to. Në vitin 2015 Saudia pranoi që ka ekzekutuar 158 persona, derisa në vitin 2016 ekzekutoi 153 civilë.

Në anën tjetër, edhe ekzekutimet në Iranin janë edhe më të larta, dhe kryesisht ato i prekin minoritet, përfshirë këtu edhe “sunnitët”. Kështu në vitin 2016 u raportua nga organizatat e të drejtave të njeriut se Irani ekzekutoi mbi 430 qytetarë të saj, derisa Qeveria e atjeshme kishte pranuar se ka ekzaltuar vetëm pak më shumë se 200 qytetarë të saj.

Derisa jeta në Iran mbetet sekrete, ndikimi i Iranit në regjion, por edhe në botën islame nuk është i tillë. Për dallim nga Saudia, apo shtet e tjera të pasura “sunnite”, Irani ka ditur që në të kaluarën, dhe po e bënë edhe tash, që të ofroi mbështetjen e tij edhe për grupet militante “sunnite”. Në librin “ISIS: Inside the Army of Terror”  të autorëve  Michael Weiss dhe Hassan Hassan pretendohet se edhe vetë Al-Kaida në Irak e Ebu Musab Al-Zarkawit, apo bërthama e parë e ISIS, e edhe Zarkaëi vet morën për një kohë mbështetje nga Irani. Aty pretendohet se pasi që Zarkawi u amnistua nga Jordania u strehua në Iran. Inteligjenca amerikane në Irak pati konstatuar se në fakt Amerika po luftonte me Iranin, veç se në tokën e Irakut.

Pikërisht për këtë fakt, që Irani mbështet edhe grupe “sunnite” në Samitin Ndërkombëtarë Kundër Terrorizmit, i 17’ti me radhë, që u mbajt në shtator të këtij viti në Herzliya (Tel Aviv) të Izraelit, Irani u konsideruar forca më e rrezikshme e mbështetjes së terrorizmit në regjion.

Konstatimet e tilla u bënë duke filluar nga Avi Gabbay, një politikan me famë në Izrael që aktualisht udhëheq Partinë Laboriste të Izraelit e deri te Sebastian Gorka, një ushtarak dhe analist i inteligjencës amerikane që shërbeu për pak edhe në administratën e presidentit Donald Trump. Edhe dhjetëra folës të tjerë në këtë konferencë ku marrin pjesë qindra hetues kundër terrorizimit, vinin tek i njëjti përfundim: “Irani është rreziku i ardhshëm për terrorizmin islamik”, derisa sa i përket ISIS’it, ai ishte i papërfillshëm.

Për të treguar se sa i papërfillshëm ishte ai për këta hetues në terren të terrorizmit dhe akademikë të kësaj fushe tregon fakti që sesioni i fundit i konference ishte një “lojë lufte” ku u mblodh “Shura” (këshilli) i ISIS’it dhe ata projektonin të ardhmen e tyre pasi që konflikti në Siri të jetë vendosur në binarët ku bashkësia ndërkombëtare do të fillojë ri-ndërtimin e këtij vendi që prapë do të udhëhiqet nga diktatori Bashar Al-Asadi. Sipas kësaj “loje”, Kalifi Ebu Beker el-Bagdadi do të organizoi një sulm në Romë, në Vatikan, dhe ku do të jetë ai që me dorën e vetë do ta vendos flamurin e ISIS’it mbi Kapelën Sistine dhe do ta vrasë Papën me dorën e tij. Sesioni ishte përplot të qeshura.

Por, askush nuk qeshte kur flitej për Iranin.

Irani sot mbështet “Hesbollahun”, që edhe është organizatë terroriste edhe është parti parlamentare në Liban, ku kontrollon një pjesë të mirë të këtij shteti që ende po e merr veten nga konflikti i 2006, që për disa ishte edhe luftë civile. Në këtë shtet “Hesbollahu” përfaqësohet në parlament përmes partisë së bllokut të Besnikërisë në Rezistencë dhe në akte terroriste nga “Këshilli i Xhihadit”.

Njerëz me kompetencë në shërbimet inteligjente tash alarmojnë se “Hesbollahu” për dhjetëra vite në konflikt dhe i përkrahur nga Irani ka krijuar aq eksperiencë ushtarake sa mund të konsiderohet zyrtarisht edhe ushtri e rregullt. Pjesa e territorit në Liban që kontrollohet nga “Hesbollahu” është pak a shumë shtet në vete, ku kjo organizatë ofron prej mbrojtjes ushtarake te edukim, e deri te shërbimet publike, e ndihmat humanitare. Gjithçka.

“Hesbollahut shiit” të përkrahur nga Irani i përshkruhet edhe fuqia arketare- inteligjenca izraelite beson se ka prova që “Hesbollahu” sot ka kapacitet për raketa me rreze veprimi të mesëm, aq sa për ta sulmuar këtë shtet, por i gjithë rreziku i “Hezbollahu” dhe Iranit nuk përfundon këtu. Madje veç fillon.Libani është njëri ngas shtetet e atij regjioni që ka numrin më të madh të refugjatëve palestinezë, që konsiderohet të jenë mbi 400 mijë të tillë në kampet libaneze, që kanë shërbyer edhe si urë lidhëse në mes të Iranit përmes “Hesbollahut” te “Hamasi” në Rripin e Gazas.

Në fund të gushtit të këtij viti Yahya Sinëar, lideri i Gazas nga “Hamasi” u tha gazetarëve se “ai i ka restauruar marrëdhëniet me Teheranin zyrtar dhe është duke u përgatitur për armiqësitë e ardhshme me Izraelin” dhe shtoi se  tash e tutje “Irani është mbështetësi më i madh financiarisht dhe ushtarakisht” i krahut të armatosur të “Hamasit” për atë që ai e quajti “zhvillimi i forcës tonë ushtarake për të çliruar Palestinën”.

Edhe faqet e lajmeve që përkrahen nga Irani përmes OJQ’ve që lidhen me fondacionin “Kur’ani”, tashmë i mbyllur zyrtarisht nga Qeveria e Kosovës dhe qytetarin iranian Hasan Azar Bejadi që ka aktakuzë nga Prokuroria kosovare për financim të terrorizmit, por që ka ikur në Iran, haptazi mbështesin kauzën palestineze derisa të plota i përkthejnë në shqip edhe deklarata kërcënuese të organizatës terroriste “Hesbollah”.

Nga marrëveshja nukleare e fundit e Iranit, që u nënshkrua në kohën e administratës së Presidentit Barack Obama Irani besohet të ketë përfituar mjaftueshëm për të vazhduar operacionet e tij për ti përkrahur grupet me axhendës xhihadiste. Ishte veç kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu që ishte kundër kësaj marrëveshje duke thënë që “fuqitë ndërkombëtare kryesore kanë vënë në bast ardhmërinë tonë kolektive në një marrëveshje me sponsorin kryesor të terrorizmit ndërkombëtar (Iranin)”

Kjo marrëveshje që u nënshkrua më 2015’ën në mes të Iranit dhe gjashtë vendeve më të fuqishme të botës si ShBA’të, Mbretëria e Bashkuar, Rusia, Kina, Franca e Gjermania përfshinë zvogëlimin drastik te sanksioneve kundër Iranit në këmbim të heqjes dorë nga programi iranian për ndërtimin e armëve atomike të shkatërrimit në masë, dhe si rezultat Irani lejohet të zhvillohet ekonomikisht. Dhe të bëjë transaksione ndërkombëtare të shumave të mëdha financiare.

“Duke mos e çmontuar programin bërthamor të Iranit, në një dekadë kjo marrëveshje do t’i japë një regjimi terrorist të pa penduar dhe, shumë të pasur, kapacitetin për të prodhuar shumë bomba bërthamore, në fakt një arsenal bërthamor me mjetet për ta shpërndarë atë. Çfarë gabimi tronditës historik”, tha për marrëveshjen Netanyahu në ditën që ajo u nënshkrua.

Më 2015 po ashtu ishte bërë lajm botëror citati i Ayatollah Ali Khamenei, liderit shpirtëror të Iranit, që thoshte se Izreli do të zhduket brenda 25 viteve të ardhshme. A do ta mbajë Irani këtë premtim?

Përgjigja e kësaj pyetje mund të dihej po që se Presidenti Trump do të vendoste shpejt për fatin e marrëveshjes nukleare me Iranin, apo siç kishte kërcënuar, po ti jepte fund asaj. Një gjë e tillë duket e largët, pasi që megjithëse së fundi ai u tregua i ashpër me këtë marrëveshje, ashtu siç edhe pritje nga republikanët e tij, u tregua më i butë se sa priste miku i tij izraelit, Netanyahu, duke mos e shkëputur këtë marrëveshje.

Megjithatë ai po planifikon që ta ndalë ndikimin e Iranit dhe mundësinë që kjo republikë islamike të përhapë terrorizëm duke planifikuar sanksione ndaj disa korporatave që janë të lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit si “Shahid Alamolhoda Industries”, “Rastafann Ertebat Engineering Company” dhe “Fanamoj”. Por, ai nuk planifikon sanksione kundër kompanisë “Azarpassillo” që ruan kontakte të mira me elitën e vjetër të Gardës Revolucionare të Khomeinit, por për çudi ka edhe raporte bizneseore me Korporatat e Trumpit vetë, përmes familjes Mammadov të Azerbajxhanit.

Përtej zhvillimeve jashtë botës islame, pas dobësimit drastik të ISIS’it në terren, Irani po merr rol të rëndësishëm në atë regjion, dhe rrjedhimisht edhe në botën islame në përgjithësi.

A do të guxojnë “shiitët” sikurse “sunnitë” të nisin një Kalifat tjetër të ri të Islamit? A do të bëjnë këtë duke e zgjidhur çështjen e Palestinës, qoftë me përkrahje ushtarake të një “intifade” të re? Apo duke përhapur “shiizmin” me OJQ si dikur Saudia “wahabizmin”?

Krejt këto dilema mund marrin fund kur zyrtarisht të përfundojë lufta në Siri dhe në një pjesë të Irakut. Por ajo që dihet me siguri është që një sezon i ri i “Game of Thrones për Kurorën e Kalifit” do të vazhdojë në botën Islame. Edhe shumë jetë do të humbin për një konflikt që nisi një të hëne krejt të pafajshme të një shekulli të largët në një qytet në shkretëtirën arabe.