‘Galeria e Ahurit’ dhe protesta kundër artistit “që përdori 8 lopë për përfitim”

Ekspozita e Sislej Xhafës me titull: “Tetë lopë Kosove”, është hapur më 5 korrik dhe po vazhdon tash e 19 ditë, në një ahur të improvizuar në hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës (GKK). Mirëpo përdorimi i tetë lopëve për veprën e tij artistike po konsiderohet si perceptim antropocentrik i tij – që nënkuptohet si qasje përfituese ndaj kafshëve.

‘Galeria e Ahurit’ dhe protesta kundër artistit “që përdori 8 lopë për përfitim”

Kundër keqtrajtimit të tetë lopëve që po mbahen tash e 19 ditë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, protestuan të martën në Prishtinë dhjetëra aktivistë për të drejtat e kafshëve.

“Vuajtja e kafshëve aq shumë është normalizu saqë ka ardhë puna për të bërë edhe art me të. E qetu duhet dikush me i thonë jo”, deklaroi Driton Gusia nga organizata “Të Bashkuar për Kafshët”, teksa kritikoi ekspozitën e artistit kosovar Sislej Xhafa.

Ekspozita e Sislej Xhafës me titull: “Tetë lopë Kosove”, është hapur më 5 korrik dhe po vazhdon tash e 19 ditë, në një ahur të improvizuar në hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës (GKK), raporton Gazeta Online Insajderi. Mirëpo përdorimi i tetë lopëve për veprën artistike po konsiderohet si perceptim antropocentrik i tij ndaj lopëve – që do të thotë se ai i ka parë kafshët si përfitim.


Sislej Xhafa po akuzohet për keqtrajtimin e lopëve përmes veprës së tij artistike

Elza Ramadani nga Fondacioni për Mbrojtjen e Kafshëve i tha Insajderit se lopët e ngujuara nga artisti kosovar duhet të kenë mbrojtje të dinjitetshme, teksa shpjegoi arsyen pse vepra e Xhafës ngjalli kaq shumë reagime.

“Kemi nevojë në Kosovë për një qasje më biocentrike – që do të thotë respektimi i të drejtave të kafshëve vetëm e vetëm për arsye se ekzistojnë; se e kanë një qenie dhe kanë ca ndjenja; munden me u ndi edhe në stres”, thotë Ramadani. “[Kafshët, v.j] kanë nevojë për një mbrojtje të dinjitetshme”.

“Jo në këtë mënyrën antropocentrike se si artistët ose fermerët munden me pas ndaj kafshëve, sepse përfitojnë prej tyre. Qoftë atë për qumësht, për mish, apo si në këtë rast për vepër artistike”, shprehet ajo.

Madje ajo e konsideron të patolerueshme ekspozitën e Xhafës, që ngujoi lopët në mes të kryeqytetit. Që mbylli ato pa i lënë të lira për 19 ditë.

“Thjeshtë është për e patolerueshme që për një muaj me i mbajtë këto lopë në mesin e zhurmave të qytetit, zhurmave të fishekzjarrëve dhe është torturuese për kafshët t’i mbash aty”, thotë Elza Ramadani, teksa flet me Insajderin pas përfundimit të protestës në Prishtinë.

Ndonëse udhëhoqi protestën, Ramadani thotë se kërkesa kryesore që qëndron pas kundërshtimit të ekspozitës nuk ka qenë heqja e lopëve nga ahuri i improvizuar para galerisë, por sensibilizimi i njerëzve të tjerë.

“Qëllimi i vetëm i kësaj proteste së pari ka qenë një shenjë simbolike dhe senzibilizuese për shoqërinë kosovare se ekziston një grup i njerëzve që kujdesemi për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve”, shprehet ajo.

Drejtuesja e Fondacionit për Mbrojtjen e Kafshëve thotë kështu pasi e ka të qartë se beteja për ndalimin e ekspozitës së Xhafës është vështirë e fitueshme.

“Ne e kemi gati se një betejë të humbur këtu”, shprehet ajo. “Është një betejë tepër e vështirë me u arrit. Edhe nëse protestojmë, edhe nëse e ngritim zërin mendoj se kjo betejë është e humbur dhe e dimë se këto lopë do të mbesin këtu deri më 8 gusht.”

Nuk lejohen t’i vendosin pankartat në ahurin e improvizuar

Në përfundimin e protestës aktivistët nuk u lejuan nga Policia e Kosovës që t’i vendosnin pankartat që kishin përgatitur në kundërshtim të ekspozitës dhe keqtrajtimit të kafshëve.

“Sis’lej Baglat”, “Galeria e Ahurit”, “Stop qasjes antopocentrike” dhe parulla të tjera të aktivistëve nuk u lejuan të ngjiteshin në muret e ahurit të improvizuar, pasi Policia e Kosovës paralajmëroi arrestimin e tyre nëse do vepronin ndryshe.

“Unë e thash atë çka duhet me u respektu. Ty nuk ta ndaloj me i vendos ato, mirëpo pasi e kryn kundërvajtjen vjen me ne në stacion”, i drejtohet polici njërit prej aktivistëve që dëshiron të vendos pankartat në murin e ahurit të improvizuar.

E pas paralajmërimit të policëve, aktivistët u tërhoqën, por megjithatë pankartat e tyre i vendosën në pjesë të tjera të hapësirave në oborrin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Video: Konfrontimi verbal mes policëve dhe protestuesve

Insajderi ka raportuar para pesë ditësh për ekspozitën e parë të Sislej Xhafës në Kosovë që ngjalli reagime të ashpra për shkak të mbylljes së tetë lopëve në ahurin e improvizuar tek Galeria Kombëtare e Kosovës. Javën e kaluar, zyrtarë të Galerisë së Arteve nuk deshën të prononcoheshin për këtë çështje, teksa vetë artisti u shpreh i nervozuar me pyetjet që Insajderi ia dërgoi. I quajti “llafe të kafeve” kritikat e aktivistëve për mbrojtjen e kafshëve.

Artisti që ngujoi lopët në emër të një ekspozite: Unë jam vegjetarian

Krejt kjo ekspozitë e Sislej Xhafës shtetit i ka kushtuar afro 40 mijë euro. Sipas Ministrisë së Kulturës, buxheti nga Galeria Kombëtare e Kosovës që funksionon brenda MKRS-së për këtë ekspozitë ka qenë 28 mijë e 583 euro.

Ambasada Amerikane në Kosovë ka përkrahur këtë ekspozitë me 4 mijë e 373 euro për honorarin, udhëtimin dhe akomodimin e artistit dhe kuratorit. Sislej Xhafa, sipas MKRS-së, ka marrë 2 mijë euro ndërsa kuratori 5 mijë euro. Ekspozita është përkrahur edhe nga Komuna e Prishtinës me 5 mijë euro. /Insajderi.com