Gafa e Thohir: Tifoz i Interit apo Milanit?

Gafa e Thohir: Tifoz i Interit apo Milanit?

“Të blesh një klub futbolli nuk është thjesht çështje biznesi. Duhet ta duash atë skuadër. Unë jam interist që kur Interi bleu treshen e holandezëve, e më pas mbërriti edhe Ronaldo”.

Ai që e ka dhënë këtë deklaratë nuk është ndonjë tifoz anonim, adoleshent, apo çfarëdo, por as më pak e as më shumë ish-pronari dhe presidenti aktual i Interit, Erick Thohir, edhe pse aksioner në minorancë pas ardhjes së “Suning”.

Një gafë e jashtëzakonshme, që mund të irritojë cilindo tifoz të apasionuar dhe të vjetër të Interit.

Kjo, sepse, faktikisht treshja e holandezëve shkroi historinë me Milanin, në të njëjtën periudhë, fundin e viteve ’80, dhe ata ishin Ruud Gullit, Franck Rijkaard dhe Marco Van Basten.

Megjithatë, gafën duket se e ka kuptuar edhe vet presidenti zikaltër dhe kjo ka sjellë edhe reagimin e tij në “Twitter”.

“Është mëse e qartë se fjala ime ka qenë për 3 gjermanët, – Matthaus, Brehme dhe Klinsmann, – dhe jo për holandezët”. (shënim: ngatërresa mes dutch dhe deutsch)

Gjatë së njëjtës intervistë për “Metronews”, manjati indonezian ka folur edhe për objektivat e Interit.

“Kemi ende shumë gjëra për të bërë, përfshi këtu rritjen e menaxhimit, mundësive të biznesit, përmirësimin infrastrukturor dhe ndërtimin e një skuadre të qëndrueshme. Por Suning kërkon të bëjë edhe një hap më shumë: kërkon që Interi të rikthehet në Champions League dhe të fitojë tituj. Kemi bërë shumë ndryshime që kur e mora ekipin nga Moratti. Kemi sjellë shumë lojtarë italianë, siç nuk ndodhte më parë. Nga viti 2013 kur bleva Interin, kemi blerë rreth 25 lojtarë”, tha më tej Thohir.