Gabimi në dekoratën që Lutfi Haziri thotë se e pranoi nga Donald Trump

Gabimi në dekoratën që Lutfi Haziri thotë se e pranoi nga Donald Trump

Emri i Lutfi Hazirit është i shkruar gabimisht në çmimin që kryetari i Komunës së Gjilanit pretendon se e pranoi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, i cili supozohet se i ndahej Hazirit për “kontribut të jashtëzakonshëm në të mirë të interesit publik”.

Në vend se emri dhe mbiemri të jetë i shkruar drejtë: “Lutfi Haziri”, në dekoratën e dyshimtë që kryetari i Gjilanit pranoi nga Ambasadori i Nderit të Kosovës në SHBA Otto F. Von Feigenblatt, në emër të Donald Trump, emri dhe mbiemri është i shkruar gabimisht: “Lufti Haziri”.

Me të pranuar çmimin, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, javën e kaluar tha se kjo është një mirënjohje e madhe që i jepet qytetarëve të Gjilanit për krejt atë viktimizim, sakrificë dhe dhembje që kanë kaluar.

Mirëpo, mediat zbuluan se kjo dekoratë është e rrejshme dhe se Ambasadori i Nderit Otto F. Von Feigenblatt që dhuroi çmimin, është mashtrues.

Se Feigenblatt është mashtrues dhe aspak i lidhur me SHBA-të, e konfirmuan edhe në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë.

“Ambasada amerikane konfirmon se personi në fjalë nuk është i lidhur dhe s’ka të bëjë asgjë me Qeverinë e SHBA-së”, thuhet në përgjigjen që Zyra për Media e Ambasadës së SHBA-së ia ka kthyer KTV-së para disa ditësh.

Otto F. Von Feigenblatt ka ndarë mirënjohje të tilla vazhdimisht në Kosovë, që thoshte se janë nga presidenti Donald Trump, e të fundit ia ka dhënë redaktores së televizionit publik, Ramize Murtezi – Shala. /Insajderi.com