Futbollisti i Skënderbeut shpjegon se si Partizani do tua sheh “sherrin” tifozëve  të vet

01.11.2017 18:45
Futbollisti i Skënderbeut shpjegon se si Partizani do tua sheh “sherrin” tifozëve  të vet

Skënderbeu filloi pa humbur kohë për gatitjet për ndeshjen e së enjtes kundër Partizanit të Beogradit.

Një takim shumë i rëndësishëm për fatin e korçarëve, që do të kërkojnë të mbajnë ende gjallë shpresat për të kapur vendin e dytë, i cili të jep kualifikimin.

Atmosfera në kampin bardhekuq është e mirë dhe lojtarët janë të vendosur për të tentuar fitoren në Beograd.

Dje, në një intervistë për “Panorama Sport”, Marko Radas foli për takimin ndaj serbëve, duke e cilësuar të vështirë, por jo të pakalueshëm. Ai theksoi se Skënderbeu duhet të luajë me përqendrim maksimal për të marrë një rezultat pozitiv. Sipas kroatit, presioni në këtë takim është mbi kundërshtarin.

“Natyrisht që ky takim nuk është një transfertë si gjithë të tjerat, për vetë faktin se të gjithë e njohim tifozërinë e Partizanit të Beogradit. Por, kam përshtypjen se do të kthehet në një bumerang për serbët. Duke qenë se tifozët do të ushtrojnë presion me kalimin e minutave, jam i bindur se gjithë trysnia do të jetë mbi kundërshtarin”.

“Nëse nuk arrijnë të shënojnë gol shpejt, por aq më keq nëse pësojnë, atëherë presioni bëhet më i madh. Do të ketë presionin e tifozëve, presionin e fushës së tyre, por edhe të renditjes. Ne shkojmë atje të qetë, pasi nuk kemi asgjë për të humbur. Shkojmë të përqendruar dhe shumë të motivuar, sepse duam të bëjmë mirë”, ka thënë Radas.