Futbollisti shqiptar që thotë se më shumë ndihet zviceran  

Futbollisti shqiptar që thotë se më shumë ndihet zviceran  

Futbollisti i ri i Wisla të Krakowës në Poloni, Vullnet Basha ka deklaruar se ndihet më shumë zviceran sepse aty është lindur dhe ka zhvilluar karrierën.

Në intervistën për mediat polake ai ka thënë se vazhdon të ëndërrojë që të veshë fanellën e përfaqësueses së Zvicrës.

“Nuk kisha shanse që të luaja me Zvicrën dhe në zgjedhjen për Shqipërinë ndikoi shumë vëllai”, tregon ndër të tjera Basha, i cili ka luajtur vetëm 14 minuta me Kombëtaren shqiptare në një ndeshje miqësore me Armeninë.

“Ndihem më shumë zviceran, sepse është vendi ku kam lindur, ku kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime dhe vendi ku kam nisur që të luaj futboll. Prandaj është më mirë që të më thoni: zviceran me rrënjë shqiptare”, ka deklaruar ai, transmeton RTK.

Basha ka thënë se akoma mendon që të ndryshojë vendimin për kombëtaren pasi ka pasur paraqitje vetëm në një miqësore.

I pyetur se a do të pranonte të luante për Zvicrën dhe të largohej nga kuqezinjtë, Basha ka thënë “Po! Të luaj me Zvicrën është ëndrra ime”.

Basha ka kujtuar edhe luftën në Kosovë.

“Kam qenë shumë i vogël atëherë, vetëm gjashtë vjeç. Jetonim atje me mamanë, ndërsa babai im punonte në Zvicër. Sapo lufta nisi, kur dëgjuam shpërthimet e para, vendosëm menjëherë që të bashkoheshim me babanë”, është shprehur vëllai i Migjen Bashës.

Vullnet Basha ka luajtur më parë edhe Lausanne, Grasshoppers, Neuchatel Xamax, Sion, Zaragoza dhe Ponferradina.