Futbollisti i Kosovës akuzohet nga UEFA se kurdisi ndeshjen e Skënderbeut

11.09.2016 23:39

Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Bajram Jashanica është përfshirë në raportin e UEFA-s rreth ndeshjeve të kurdisura të skuadrës shqiptare, Skënderbeu Korçë. Ish-futbollisti i Hysit mohon akuzat dhe i quan të "pabaza".

Futbollisti i Kosovës akuzohet nga UEFA se kurdisi ndeshjen e Skënderbeut

“Paraqitje jashtëzakonisht e dyshimtë në mbrojtje nga Skënderbeu, sidomos nga Bajram Jashanica”. Kjo është një nga frazat që përdoret në raportin e UEFA-s për ndeshjen e fazës në grupe të Ligës së Europës, Skënderbeu-Lokomotivë Moska 0-3, e zhvilluar më 10.12.2015 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Institucioni i futbollit europian akuzon pikërisht mbrojtësin kosovar, teksa thekson se ka bërë një paraqitje dyshuese.

jahsi

Mirëpo, kjo hidhet poshtë kategorikisht nga vetë lojtari. Dje “Panorama Sport” ka kontaktuar me Jashanicën, i cili ka deklaruar ndër të tjera se ai personalisht dhe i gjithë ekipi ka luajtur ndershmërisht në çdo ndeshje.

“Të them të drejtën nuk jam ndier aspak mirë kur kam lexuar sot (dje) se emri im ishte i listuar në dosjen e UEFA-s. Ajo histori tashmë është mbyllur dhe Skënderbeu ka marrë dënimin, që për të gjithë ne ka qenë i padrejtë. Por, pavarësisht kësaj, klubi e ka shlyer atë dënim. Mund të them se janë të gjitha akuza të pabaza dhe që prishin imazhin tim”, ka thënë ai. /Insajderi.com