Futbollisti i Barcelonës: Ekipi është më e balancuar pa Neymarin

Futbollisti i Barcelonës: Ekipi është më e balancuar pa Neymarin

Mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitic, beson se ekipi tani është ‘më i balancuar’ pas largimit të Neymarit, por ai do donte që braziliani të kthehej në skuadër.

Futbollisti brazilian i është bashkuar Paris Saint-Germain në një transferim prej 222 milionë eurosh në afatin kalimtar veror, rekord ky botëror për transferime.

Por, edhe pas largimit të tij, Barcelona është lider absolut në La Liga, me katër pikë më shumë se ndjekësi i parë, Valencia dhe tetë pikë më shumë se rivali i hidhur, Real Madridi.

Megjithatë, sipas mesfushorit kroat, Rakitic, skuadra pas largimit të Neymarit është më e balancuar, por se braziliani i mungon skuadrës.

“Ne kishim më shumë entuziazëm kur Neymari ishte këtu, ndoshta kjo është diçka që na mungon pak tani”, ka thënë fillimisht Rakitic për Mundo Deportivo, shkruan Telegrafi.

“Po të kisha një shkop magjik, do ta ktheja! Ai është lojtari që do të donit në ekipin tuaj dhe sigurisht do ta preferoja që të ishte këtu”.

“Por, e vërteta është se ne po bëjmë shumë mirë pa të këtu dhe tani është në një klub tjetër, kështu që nuk është e drejtë të flasësh për të më shumë”.

“Ne kemi ndryshuar sistemin tonë dhe tani jemi më të balancuar si në mbrojtje ashtu edhe në ofensivë, edhe pse ende kemi vend për tu përmirësuar”, përfundoi kroati.