Futbollistët e Prishtinës shkojnë në stërvitje me Porsche

Futbollistët e Prishtinës shkojnë në stërvitje me Porsche

Trajneri gjerman i Klubit të Futbollit Prishtina, Lindtz Lindemann ka rrëfyer për mediumin gjerman Mitteldeutsche Zeitung, aventurën e tij të deritanishme në Kosovë me skuadrën më të trofeshme kosovare.

Lindemann ka thënë se futbolli në Kosovë është i një niveli të kënaqshëm, duke potencuar faktin se ka futbollistë në skuadrën e Prishtinës që shkojnë në stërvitje me Porsche.

“Ne kemi lojtarë të cilët më parë kanë luajtur me skuadra profesioniste në Rusi dhe Ukrainë. Ata vijnë në stërvitje me Porsche”, ka thënë me krenari Lindemann për mediumin gjerman Mitteldeutsche Zeitung.

Tekniku gjerman më tej ka thënë se në skuadrën e njohur të Kosovës ekziston një atmosferë e mirë ekipore.

“Kemi një ekip të mirë. Futbollistët gjimonë këndojnë ndonjë serenatë kur ndonjëri prej futbollistëve ka ditëlindjen”, ka thënë ai, raporton Insajderi.

Lindemann megjithatë ka theksuar faktin se në Kosovë ka edhe parregullësi që atij nuk i pëlqejnë. Ka thënë se kompania që ka të drejtën televizive për transmetimin e ndeshjeve të Superligës së Kosovës, “Digitalb”, sipas Lindemann “përckaton çdo gjë rreth ligës”.

“Televizioni privat përcakton çdo gjë. Pra, diçka që ka ndodhur është se një lojë të ligës, e cila në fakt ishte planifikuar të luhej të mërkurën, është përcjellë në mënyrë spontane për të martën, dhe ne e kemi kuptuar një ditë para ndeshjes. Kjo është ndonjëherë e bezdisshme”, thotë Lindemann.

Lindemann është ankuar edhe për vonesat e futbollistëve në stërvitje, duke thënë se stërvitjet shpeshherë ndodh që të fillojnë me vonesë.

“Edhe me orën, lojtarët nuk janë gjithmonë të saktë, trajnimi fillon me vonesë. Përndryshe ata janë shumë të gatshëm”, ka thënë ish-trajneri i skuadrës gjermane Hallescher. /Insajderi.com