Fushata e PDK-së përfshin edhe takimin me të dyshuarin për kurdisje të ndeshjeve futbollistike

Fushata e PDK-së përfshin edhe takimin me të dyshuarin për kurdisje të ndeshjeve futbollistike

Enver Hoxhaj shkoi sot në Therandë. Atje, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) takoi udhëheqësit dhe futbollistët e Klubit të Fubollit “Ballkani”. Hoxhaj u premtoi drejtuesve të KF Ballkanit se “shumë shpejtë” do të përfundojnë punimet për renovimin e stadiumit në Therandë.

“Jam i lumtur që së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, do të angazhohemi që punimet në ndërtimin e stadiumit në Therandë të përfundojnë sa më shpejtë”, ka thënë Hoxhaj, përmes një shkrimi në Facebook.

Në mesin e personave me të cilët u takua sot Hoxhaj në Therandë, ishte edhe kryetari i klubit, Florim Kryeziu. Kryetari i KF Ballkanit, i cili pos pozitës së kryetarit të klubit, mban edhe një pozitë të lartë në Ministrinë e Sporteve, dyshohet se kishte kurdisur një ndeshje të Ligës së Parë të futbollit në Kosovë.

Bëhet fjalë për ndeshjen ndërmjet KF Ballkanit dhe KF Ramiz Sadikut, e cila u zhvillua në muajin prill të këtij viti.

Ministria e Sportit heshtë për implikimin e zyrtarit të saj në kurdisjen e ndeshjes

Ish-trajneri i Ballkanit të Suharekës, Gëzim Hasi u kishte kërkuar futbollistëve që të humbnin ndeshjen me skuadrën Ramiz Sadiku. Kjo, sipas tij kishte qenë kërkesë e kryetarit të klubit, Florim Kryeziu.

E, në vizitën e sotme në Therandë, Enver Hoxhaj është shprehur i lumtur për takimin që pati me Kryeziun. Tha se u njoftua për rezultatet e mira të klubit therandas.

“Sot kam bashkëbiseduar me lojtarët dhe stafin teknik të klubit futbollistik “KF Ballkani” nga Theranda, i vetmi klub i futbollit në këtë qytet. Nga kryesia dhe kryetari i klubit, Florim Kryeziu, dhe trajneri Zymer Elshani u njoftova nga afër me rezultatet e mira të tyre – pozita e dytë në ligën e parë të Kosovës – edhe përkundër kushteve të vështira financiare dhe infrastrukturore”, shkroi Hoxhaj në Facebook. /Insajderi.com