Fushat me të cilat do të merret Fondacioni Jahjaga

Fushat me të cilat do të merret Fondacioni Jahjaga

Sot është kuptuar se ish Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, do të themelojë një fondacion.

Është përfaqësuesja për media e fondacionit, Gresa Kraja, që ka konfirmuar për klankosova fushat me të cilat do të merret ky fondacion.

“Misioni i përgjithshëm i Fondacionit Jahjaga është të mbështesë zhvillimin demokratik të Kosovës. Fondacioni Jahjaga do të mbështesë fuqishëm zhvillimin e projekteve duke punuar direkt me qytetarët e vendit në mënyrë që të fuqizojë individët dhe të inkurajojë aktivizimin”, ka thënë Kraja.

“Fondacioni do të fokusohet në katër shtylla kryesore: Fuqizimin e grave, rininë, sigurinë dhe pajtimin rajonal ose ballafaqimin me të kaluarën – për këto do të mbahen edhe katër panele në ditën e lansimit (20 mars) me shumë të ftuar nga vendi, rajoni dhe bota”.

Kraja ka thënë se Presidentja Jahjaga, ka ndërmarr iniciativën për themelimin e këtij fondacioni pasi që nuk ka dashur që puna e saj i presidente e vendit të mbetet në gjysmë.

“Ajo do që ato punë të mira që i nisi si presidente t’i vazhdojë si edhe me tutje dhe të japë kontributin e saj sado modest që ai të jetë”.

“Fondacioni Jahjaga, ka për synim vazhdimin dhe kultivimin e kësaj trashëgimie, si dhe të përçojë një mesazh se nuk do të thotë të mbash një pozitë politike për të kontribuar për vendin tënd”.