Fury këshillon Joshuan: Kështu mposhtet Klitschko

Fury këshillon Joshuan: Kështu mposhtet Klitschko

Në prag të sfidës së madhe të 29 prillit, ku britaniku Anthony Joshua do të përballet në “Wembley” të Londrës me ukrainasin Wladimir Klitschko, sfidë e vlefshme për titujt kampionë në peshat e rënda, ka folur sot Peter Fury, trajneri i Tyson Fury.

Ky i fundit ka mundur Klitschko 16 muaj më parë në Gjermani dhe përmes një deklarate për mediat i ka dhënë disa këshilla Joshua se si të përballet me ukrainasin dhe se si ta mundë atë.

“Mbi të gjitha duhet të jetë shumë, shumë i zgjuar në ring.  Kjo është sfida e parë e vështirë e Joshua, ndaj duhet të tregohet i zgjuar me mendje e me grushte”, tha Peter Fury, shkruan Telesport.al.

Klitschko, pavarësisht moshës (41 vjeç), ka deklaruar se do të kërkojë për të tretën herë në karrierë titullin kampion bote në peshat e rënda, për të rimarë titujt që humbi ndaj Fury.

“Ne patëm një plan gjatë duelit, të cilin Tyson e ndoqi më përpikmëri. Ne nuk fituam pasi ishte dobët Klitschko, por se ne u treguam më të kujdesshëm dhe të zgjuar se ai në ring. Edhe Klitschko ka një plan, edhe Joshua gjithashtu, por Anthony duhet të dominojë me moshën e tij dhe të mos e lërë Klitschko të vendosë përvojën në punë. Nëse Joshua pretendon të fitojë duelin se është më i ri dhe i fuqishëm, kjo taktikë nuk ka për t’i funksionuar”, tha Peter Fury.