Fuqia e “budallait”

08.03.2017 15:16
Fuqia e “budallait”

Sa më pak dimë, aq më tepër kemi siguri tek vetja, të bindur se mund të bëjmë gjithçka. Sa keq që nuk është e vërtetë. Eshtë efekti Dunning-Kruger dhe godet gjithmonë. Ai dëshmon se askush nuk mund të gjykojë veten objektivisht.

Grabitësi i bankës, që ishte i sigurtë se ishte i padukshëm nga telekamerat e sigurisë, vetëm pse e kishte spërkatur fytyrën me lëng limoni. Profesori në pension, që në takimin e banorëve të pallatit, shpjegon fjalë për fjalë si funksionon televizioni satelitor, duke ngatërruar Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës me satelitët artificialë.

Kolegu i zyrës së shitjeve, që flet mbi sigurinë e sistemeve nukleare, duke e ngatërruar shkëmbimin me shkrirjen atomike. Në jetën e përditshme, ndeshen shumë njerëz të tillë (përveç ndoshta hajdutit), që sipas studiuesve, vuajnë nga efekti Dunning-Kruger. Nuk është një sëmundje e rëndë neurologjike, por një sjellje që ku më shumë e ku më pak, të gjithë e shfaqin.

Nobelistë mendjemëdhenj
Emri rrjedh nga një prej autorëve, të cilët e përshkruan për herë të parë (pra David Dunning dhe Justin Kruger, që në atë kohë punonin në Universitetin e Kornelit, Nju Jork); e kanë quajtur “mbivlerësim i aftësive të tua”. Domethënë një mendim i shpeshtë dhe i pranishëm tek të gjithë ne, se për të bërë ose ditur diçka, jemi më të mirë nga sa është në fakt e vërtetë.

Ka lojtarë shahu, që pavarësisht nga shkalla shumë e saktë e vlerave, janë të sigurtë se janë më mirë se të tjerët dhe objektivisht më të shkathët. Nëntëdhjetëvjeçarë që mëtojnë të marrin patentën, ndonëse qartazi nuk janë më në gjendje të ngasin automjetin. Ose ministrat e jashtëm të Shteteve të Bashkuara, që për të justifikuar një sulm ushtarak, akuzojnë një shtet se “zotëron armë të shkatërrimit në masë”.

Për të mbërritur tek çmimet Nobel, ku nuk mungojnë opinionet e njerëzve për çdo argument. Virologu i famshëm francez, Luk Montanje, i cili fitoi çmimin Nobel në vitin 2008 për zbulimin e virusit HIV, po përhap prej vitesh thashethemin, që fijet e ADN-së mund të lëshojnë valë elektromagnetike, duke formuar pastaj nanostruktura uji që shumojnë informacionin. Linus Poling, dy herë fitues i Nobelit (për kimi dhe paqe), përhapi teorinë e mjekësisë ortomolekulare. Ishte e bazuar edhe tek një superdozë me vitaminë C për të luftuar sëmundjet, madje edhe kancerin. Teori të pakuptimta, ndonëse vijnë edhe nga laureatë të çmimit Nobel.

Më të mirë nga të gjithë
Dunning dhe Kruger pyetën veten nëse ato që patën mbledhur ishin vetëm anekdota, apo nëse kishin baza të vërteta dhe shkencërisht të përshkrueshme.

Dhe filluan një seri eksperimentesh dhe vëzhgimesh për të sqaruar këtë fenomen. Në çdo fushë, nga ajo financiare, deri tek përdorimi i armëve, gramatikës angleze dhe përdorimit të logjikës, kanë arritur në të njëjtin përfundim: njerëzit nuk janë thuajse asnjëherë të aftë të gjykojnë mbi aftësitë e tyre.

Edhe pa mbërritur tek shembujt e fituesve te Nobelit apo hajdutëve të trashë (tingëllon si një shaka, por ngjarja është e vërtetë), do t’i ketë ndodhur të gjithëve të mendojnë se shkoi shumë mirë një intervistë pune apo një test shkollor, për të parë pastaj veten me një notë 4 ose 5. Një studim i zgjeruar në vitin 2012, Studimi Kombëtar i Aftësisë Financiare, i kryer nga ana e Thesarit të SHBA, u kërkoi 25 mijë amerikanëve të përgjigjen se cila ishte kompetenca e tyre mbi termat financiare.

Duke shqyrtuar në veçanti 800 prej tyre, që kishin falimentuar, dhe kështu supozohet se ata ishin jo vetëm “Ujqër të Uoll Stritit”, ekspertët zbuluan se në fushën financiare vetëgjykoheshin me përvojë mbi mesataren. Një ndjesi që të falimentuarit e kanë të përbashkët me menaxherët, studentët dhe lojtarët e futbollit. Shumica e tyre, në bazë të sondazheve të sakta, besojnë se janë më të mirë se të tjerët në punën e tyre, qoftë kjo goditja e një topi apo koordinimi i një aktiviteti të një kompanie; gjë që është dukshëm e pabesueshme.

Të sigurtë dhe agresivë
Efekti anësor i defektit të mungesës të vlerësimit personal është se të paaftët janë edhe më të sigurtë tek vetja e tyre. Ata që nuk dijnë të bëjnë asgjë janë më të vendosur në mendimet e tyre, më të sigurtë tek njohuritë e tyre, më kokëfortë për të ruajtur dhe mbështetur pozicionin e tyre. Sa më shumë që ata vërejnë se çfarë kanë thënë është krejtësisht e palogjikshme, aq më tepër qëndrojnë të vendosur tek ajo që kanë thënë, duke u bërë madje agresivë në mbrojtjen e pozicioneve të tyre.

Artikulli i Dunning dhe Kruger, që shpjegon çdo gjë titullohet: “Jo ekspertët dhe mungesa e vetëdijes për këtë: vështirësitë për të njohur paaftësinë e vetes, çojnë tek një gjykim i ekzagjeruar mbi veten”. Si rezultat i këtij mjedisi mendor, ndodh ndërkaq e kundërta: Dunning dhe Kruger kanë treguar se një person me të vërtetë ekspert, ka prirjen për t’u gjykuar shumë më ashpër sesa një i paaftë. Deri sa mbërrihet në një pikë në të cilën njerëzit më të informuar, të urtë dhe të mençur, perceptohen si më pak të aftë sesa mesatarja e njerëzve. Sipas David Dunning, kjo është për shkak se “personat ekspertë, mendojnë se të tjerët janë po aq të mirë sa ata; dhe prandaj ajo që ata nuk dinë nuk është asgjë e veçantë në krahasim me pjesën tjetër të njerëzimit”. Idetë rastësore

Por cilat janë “forcat”, që në trurin tonë, na shtyjnë drejt një vlerësimi të vetes në mënyrë kaq të gabuar, sa të na bëjnë të artikulojmë gjykime tërësisht të gabuara? Pse paaftësia të çon në mënyrë të pashmangshme drejt pamundësisë për të gjykuar … vetë paaftësinë? Psikologët kanë vërejtur se nga pikëpamja logjike, ajo qëndron në këmbë. Për të arritur ta gjykojmë veten të paaftë, do të ishte e nevojshme të zotëronim të njëjtat aftësi, të cilat garantojnë një vetë-gjykim objektiv: e pamundur. Sikurse është shprehur natyralisti i njohur anglez, Carl Darvin tek “Origjina e njeriut dhe zgjedhjes seksuale”: “Injoranca prodhon më shpesh besim, sesa njohuri”. Grabitësi që ishte lyer në fytyrë me lëng limoni nuk donte të besonte që telekamerat e sigurisë e kishin filmuar dhe policia e kishte njohur. Ishte absolutisht i bindur se lëngu i limonit, duke qenë se njihet si “boja e padukshme”, do t’i mundësonte atij të shmangte vëmendjen e padëshiruar.

Besim i lindur?
Përse ky qëndrim është kaq shumë i përhapur? Dunning përgjigjet me shaka: “Nëse më pyesni cili është tipari i vetëm, që e bën një person subjekt të këtij vetë-mashtrimi, unë do të thosha marrja e frymës”. Më shumë seriozisht, psikologët thonë se një mendje që injoron nuk është bosh, por plot me copa dhe pjesë informacioni, përvojat e të tjerëve që i ndjejmë si tonat, biseda të dëgjuara nëpër kafene, ose të lexuara vite më parë.
Këto fakte, ide, informacione dhe njohuri që janë shqyrtuar nga afër nga një tru që për milion vjet ka evoluar, duke u shndërruar në një “gjetje modelesh”, thotë Dunning: një mjet që përpiqet t’i japë kuptim çdo gjëje që sheh, ndjen apo mendon. Dhe kur ndjenja nuk është atje, ajo e imponon, me kushtin

për të futur një informacion të pasaktë, por me sa duket të drejtë, për të plotësuar tabllonë që ne kemi për botën.
Truri është një krijues i palodhshëm tregimesh dhe ndërton vazhdimisht, pak a shumë histori të besueshme mbi atë që jemi dhe dimë, duke mbushur “gropat” me termat e reja që mbledhim. Receta e përsosur për të na zhytur në situata të rrezikshme apo fatkeqe. Për aq kohë sa specia jonë jetonte në fise me një duzinë njerëzish, të afërmit dhe miqtë mund të ishin pranë për të korigjuar, mbështetur apo vënë në lojë.

Por në një shoqëri demokratike, gjithnjë e më komplekse dhe të ndërlidhur, që zhvendos burime dhe njerëz në përgjigje të besimeve popullore, pushteti dhe agresioni i atyre që besojnë se kanë gjithmonë të drejtë mund të jetë i rrezikshëm./ BBCKnowledge / Përgatiti: www.bota.al