Fungo: Njësitë Speciale s’kanë nevojë për lejen e KFOR-it për të hyrë në veri

Fungo: Njësitë Speciale s’kanë nevojë për lejen e KFOR-it për të hyrë në veri

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjenerali Italian, Giovanni Fungo, thotë se të gjitha aktet e dhunshme janë të dënueshme dhe të papranueshme, dhe se situata në Kosovë është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme.

“Situata është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme”, tha ai në një intervistë për gazetën beogradase “Politika”, duke i kujtuar se prania ushtarake e NATO-s në vitin 1999 është reduktuar nga 55 mijë në rreth 4 mijë ushtarë.

“Gjatë këtyre viteve gjendja e sigurisë në zonat me popullsi me shumicë serbe është përmirësuar. Serbët e Kosovës janë integruar në organizatat lokale të sigurisë. Roli i KFOR-it në këtë kontekst ka qenë dhe mbetet thelbësor. Në përputhje me Rezolutën 1244, mandati i KFOR-it është që të mbajë mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë “, ka thënë gjenerali italian.

Me rastin e paralajmërimit të autoriteteve të Prishtinës për formimin e ushtrisë së Kosovës dhe në pyetjen nëse në këtë rast të ketë vend për KFOR-in, Fungo kujton deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me 8 mars, në të cilën ai vuri në dukje se struktura, mandati dhe misioni i FSK-së është çështje e institucioneve të Kosovës në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e tyre.

“Megjithatë, nëse mandati FSK-së zhvillohet në mënyrë të tillë siç është propozuar, NATO do të duhet të rishikojë nivelin e vet të angazhimit, sidomos në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve”, ka thënë Fungo.

I pyetur nëse ROSU (forcat speciale policore të Kosovës) mund të veprojnë në veri të Kosovës pa pëlqimin komandës së KFOR-it, Fungo tha se marrëveshja e mes Kosovës dhe Serbisë lejon që forcat e Kosovës të lëvizin në tërë territorin e Kosovës.

“Në bazë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 në mes Beogradit dhe Prishtinës, institucionet e Kosovës nuk janë të detyruara që të kërkojnë miratim nga KFOR-i për të lëvizur forcat e tyre policore në tërë territorin e Kosovës”./Express/.