Kombëtarja italiane, nuk arri" />

“Fundi i botës”: Reagimi i mediave në Itali pas eliminimit nga Suedia [Foto]

“Fundi i botës”: Reagimi i mediave në Itali pas eliminimit nga Suedia [Foto]

Italia ishte në gjendje shoku, dëshpërimi dhe frike të martën mbrëma, pasi ekipi kombëtar nuk arriti të kualifikohet për Kupën e Botës “Rusia 2018”.

Kombëtarja italiane, nuk arriti që ta mposht Suedinë pas dy ndeshjeve të “play-off”-it, duke mos e siguruar biletën për në Rusi, shkruan Insajderi.

Pas dy përballjeve të zhvilluara në play-off, italianët e drejtuar nga Gian Piero Ventura, u eliminuan me rezultatin e përgjithshëm 1:0.

Suedia e kishte fituar takimin e parë në shtëpi me rezultatin minimal, derisa Italia nuk arriti të shënojë asnjë gol në “San Siro”, në ndeshjen e kthimit e cila përfundoi pa gola, 0:0.

Ky rezultat i mundësoi Suedisë që të kualifikohet tutje, duke bërë që Italia të humb Botërorin e parë pas 60 viteve.

Gazetat italiane, pas ndeshjes e krahasuan këtë disfatë me betejën katastrofike Caporetto të Luftës së Parë Botërore, ku forcat italiane u shpartalluan nga ushtria austro-hungareze.

“Jemi jashtë Kupës së Botës, është Caporetto e futbollit”, shkruan një prej gazetave në titullin e faqes së parë.

“Fundi”, ishte titulli në ballinën e ‘La Gazzetta dello Sport’, një ‘Bibël’ për adhuruesit e futbollit, e cila pati fotografinë e Gianluigi Buffon, portierit dhe kapitenit të skuadrës, duke çuar duart e tij në ajër, pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit.

“Lamtumirë Rusi – jemi jashtë Kupës së Botës për herë të parë që nga viti 1958”. Dështimi në kualifikim për kampionatin botëror, ishte hiç më pak se “fundi i botës”, shkruante gazeta, përcjell Insajderi.

“Është një prej faqeve më të errëta në historinë tonë sportive”, shkruan Andrea Monti, redaktori i kësaj gazete në faqen e saj të parë.

Buffoni në lot, ishte një prej disa emrave të mëdhenj që bëri të ditur fundin e karrierës ndërkombëtare pas kësaj humbje.

“Është një dëshpërim i madh, ndoshta më i madhi ndonjëherë për futbollin italian”, tha pas ndeshjes Paddy Agnew, një ekspert i futbollit në Romë, dhe autori i “Forza Italia: Rënia dhe Ngritja e Futbollit Italian”.

Madhështia e Italisë në fushën e lojës – me kombëtaren e cila ka fituar Kupën e Botës katër herë – është e mjaftueshme për të tërhequr vëmendjen nga problemet dhe vuajtjet e përditshme të italianëve, por jo edhe kësaj here.

“Nuk mendoj se ka zemërim apo inat, thjesht zhgënjim dhe pikëllim”, tha një pronar i një kiosku gazetash në Romë.

“Një Kupë e Botës pa Italinë. Por mbi të gjitha, një Itali pa Kupën e Botës – lamtumirë netëve magjike të ngrënies së picave dhe konsumimit të birrave të ftohta, iluzioni i të qenit i vlefshëm, së paku në futboll”, shkroi një opinionist i njohur në të përditshmen ‘Corriere della Sera’, përcjell Insajderi.

Italianët drejtuan zhgënjimin kryesor të tyre drejt Gian Perio Venturas, trajnerit të ekipit kombëtar, fati i të cilit pritet të vendoset këtë të mërkurë.

Trajneri 69-vjeçar, i cili ka kontratë deri në vitin 2020, kërkoi falje pas ndeshjes, por nuk pranoi se do të dorëhiqej.

Por, ky zhgënjim i Italisë nuk do të ndikojë vetëm në gjendjen morale dhe vetëbesimin – do të ketë poashtu edhe ndikime serioze ekonomike.

Federata italiane e futbollit (FIGC) do të humbas miliona euro në të drejtat televizive, derisa pritet të vuajë edhe ekonomia kombëtare.

Franco Carraro, ish-presidenti i federatës, vlerësoi se dështimi në kualifikimin për Botëror, do t’i kushtojë shtetit diku rreth 500-600 milionë euro. /Insajderi