FSK merr vendin e parë në një garë ndërkombëtare

FSK merr vendin e parë në një garë ndërkombëtare

Në Grafenworth të Gjermanisë është mbajtur gara ndërkombëtare “Ekspert i Mjekësisë Fushore”, në të cilën morën pjesë mbi 200 pjesëtarë nga shumë vende të botës, si nga: SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Danimarka, Norvegjia, Kosova. Pjesë e kësaj gare ishin edhe tre pjesëtarë-paramedikë të Qendrës Trajnuese të Kërkim-Shpëtimit tëRegjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së.

Gara “Ekspert i Mjekësisë Fushore” kishte për qëllim koordinimin dhe aftësimin e pjesëmarrësve në përdorimin e teknikave të reja mjekësore si dhe ngritjen e nivelit reagues gjatë fushëbetejave reale dhe fitimin e begjit.

 

Nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse të kësaj gare, Begjin si ekspert të mjekësisë fushore, e kanë fituar 23 pjesëmarrës.Në mesin e fituesve janë edhe dy pjesëtarë të Qendrës Trajnuese të Kërkim-Shpëtimit të RMC-së, Besart Ejupi dhe Kushtrim Hyseni, të cilët janë shpallur ndër më të mirët edhe në nivel Evrope.

Vetëm tre fitues të garës kanë arritur të marrin begjin në tentimin e parë; dy pjesëtarët e FSK-së dhe një amerikan,kurse 19 fituesit e tjerët këtë begj kanë arritur ta fitojnë pas dy e më shumë tentimeve.

Pjesëmarrësit kanë garuar në disiplinat: Aftësi luftarake, aftësi medicinale, komunikim, evakuim të viktimave, test i përgjithshëm me shkrim, navigim ditën e natën, si dhe marshim me të gjitha pajisjet në një gjatësi prej 20 kilometrave, transmeton Klan Kosova.