FSK-ja dhuroi donacion humanitar për qytetarët e Graçanicës

FSK-ja dhuroi donacion humanitar për qytetarët e Graçanicës

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) i dhuroi një donacion humanitar Kishës Ortodokse serbe në Graçanicë, ndihmë për qytetarët e komunitetit jo shumicë të këtij vendbanimi.

Në këtë donacion përfshiheshin batanije, jastëkë dhe mbulesa.

Dorëzim pranimi i donacionit humanitar të FSK-së u bë në ambientet e Manastirit.

“Në emër të FSK-së, donacionin humanitar e dorëzoi nënkolonel Afrim Veseli, shef i Sektorit për Bashkëpunim me Agjencitë në kuadër të Departamentit për Marrëdhënie Civilo-Ushtarake në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërsa e pranoi prifti Sergjan Stankoviq, zyrtar i Manastirit”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

unnamed

Prifti Stankoviq, me këtë rast, falënderoi Forcën e Sigurisë së Kosovës, ambasadën e ShBA-së, si dhe KFOR-in amerikan, për ndihmën e ofruar për qytetarët e Graçanicës.

“Kjo ndihmë është e mirëpritur në këto kushte të vështira atmosferike dhe ekonomike. Prandaj falënderoj ambasadën e ShBA-së, KFOR-in amerikan dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”, shtoi pos tjerash prifti Stankoviq.

unnamed-3

Ndërsa, nënkoloneli Afrim Veseli, tha se FSK-ja deri më tani ka kryer shumë projekte humanitare në shërbim të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallime feje dhe kombi.

Ai premtoi se FSK-ja edhe në të ardhmen do të jetë së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës, në ndihmën e tyre si dhe në realizimin e projekteve, qofshin ato humanitare dhe projekteve tjera e që janë në shërbim të qytetarëve.

unnamed-5

Gjithashtu, nënkoloneli Afrim Veseli falënderoi edhe ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, si dhe KFOR-in amerikan, për përkrahjen e vazhdueshme për FSK-në, qoftë në dhënien e ndihmave humanitare dhe në realizimin e projekteve humanitare./Insajderi.com