FSK institucioni më i besueshëm në Kosovë

26.10.2017 14:41
FSK institucioni më i besueshëm në Kosovë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar dy raporte monitoruese për integritetin dhe qeverisjen e brendshme në sektorin e sigurisë në Kosovë, për Policinë e Kosovës (PK) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).Në vijim do të pasqyrohen gjetjet kryesore të grumbulluara gjatë periudhës monitoruese për këto dy institucione.

Besueshmëria, qeverisja e brendshme, dhe integriteti janë parimet kryesore që garantojnë funksionalizim të qëndrueshëm dhe kredibil të institucioneve të sigurisë në Kosovë. Ky raport monitorues dhe vlerësues i integritetit në institucionet e sigurisë në Kosovë publikohet për herë të tretë nga QKSS e që mbulon periudhën prej një vjeçare prej tetor 2016 – tetor 2017.

Gjetjet kryesore të raportit monitorues për Policinë e Kosovës

Edhe pse PK-ja gëzon besueshmëri të lartë tek qytetarët e Kosovës, megjithatë gjetjet e hulumtimit kanë vë në pah nevojën e adresimit të sfidave dhe problemeve që hasen në pothuajse secilin prej sektorëve të PK-së.

Lidhur me burimet njerëzore sfida kryesore qëndron në mospublikimin e dokumenteve të policisë që rregullojnë aspektet e ndryshme të burimeve njerëzore, siç është personeli, rekrutimi, gradimi, emërimi i zyrtarëve policorë në pozita të caktuara dhe çështje të tjera. Ndërkohë, pensionimi i parakohshëm i zyrtarëve policorë as këtë vit nuk është rregulluar. Ligji që do të duhej të rregullonte çështjen nuk është miratuar nga institucionet kosovare. Sa i përket gradimit dhe shpërndarjes së personelit policor nëpër pozita të caktuara brenda policisë, Inspektorati Policor i Kosovës në vitin 2016 kishte konstatuar se policia përballet me mungesë të personelit të graduar në pozitat menaxheriale, ku një pjesë e pozitave në polici udhëhiqen nga zyrtarë që nuk kanë grada adekuate. Nga ana tjetër, as në vitin 2017 nuk është arritur të gjendet një zgjidhje për sigurimet shëndetësore për personelin policor.

Sa i përket integritetit, Policia e Kosovës ka hartuar tashmë planin e integritetit dhe është i përqendruar kryesisht në fushën e transparencës, kontrollit të brendshëm, inspektimeve, prokurimit publik, parandalimit dhe luftimit të korrupsionit. Sidoqoftë, ky plan është duke pritur miratimin final nga krerët e policisë dhe pritet të nis zbatimin në fillim të vitit 2018.

Policia e Kosovës i ka mekanizmat e kontrollit të brendshëm megjithëse nuk dihet se si është e rregulluar fushë-veprimtaria e tyre për shkak se dokumentet që e rregullojnë këtë çështje nuk janë të publikuar në ueb-sajtin e PK-së. Publikimi i këtyre dokumenteve dhe vendimeve të këtyre mekanizmave do të bënte të mundur të analizohen në hollësi aktivitetet e kontrollit të brendshëm policor, me theks të veçantë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit policor.

Edhe pse policia gëzon besueshmëri relativisht të lartë nga qytetarët e Kosovës, kjo në vetvete nuk tregon domosdo gjendjen reale në institucion. Aksioni i ndërmarrë nga Inspektorati Policor i Kosovës në dhjetor të vitit 2016 që rezultoi me 59 zyrtarë policorë të arrestuar si të dyshuar për korrupsion do të mund të zbeh besimin e qytetarëve në polici. Ky rast sikurse edhe ai i drejtorit të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në polici janë duke u trajtuar nga organet e drejtësisë nën dyshimin e bazuar të veprës së korrupsionit. Krahas këtyre rasteve, gjatë vitit 2017 ka pas edhe raste të tjera kur zyrtarët policorë janë zënë në flagrancë duke transportuar narkotikë. Të gjitha këto raste që po hetohen nga drejtësia mund të ndikojnë në uljen e besimit të qytetarëve polici pavarësisë se ajo ka qenë e gatshme të luftojë dukuritë negative brenda institucionit, përfshirë korrupsionin.

Edhe roli i Inspektoratit Policor të Kosovës është i rëndësishëm për integritetin e policisë. Gjatë periudhës janar-shtator 2017 IPK-ja ka pranuar gjithsejtë 954 ankesa të qytetarëve ndaj policisë. Vërehet se në vitin 2017 kishte më pak ankesa në IPK meqë në vitin në periudhën e njëjtë të vitit 2016 janë paraqitur 1,021 ankesa ndaj policisë. Por vështirësi të mëdha mund t’i paraqiten IPK-së kur bëhet fjalë në mbikëqyrjen e aktiviteteve të policisë. Kjo për shkak se Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së nuk ka dhënë dorëheqje nga pozita e punës që kishte pasur në polici para se të emërohej në krye të IPK-së. Për më tepër, ai vetëm ka pezulluar pozitën në polici, gjë që mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në pavarësinë e punës së IPK-së.

Çështja e parandalimit e konfliktit të interesit është vështirë të monitorohet dhe vlerësohet si pasojë e mungesës së të dhënave për këtë temë. Përderisa nuk dihet për përmbajtjen e dokumenteve të brendshme të policisë në lidhje me parandalimin e konfliktit të interesit, edhe më sfiduese është analizimi i rasteve të mundshme të konfliktit të interesit si shkak i informatave të kufizuara. Sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit gjatë vitit 2016 dhe 2017 nuk pasur ndonjë rast të konfliktit të interesit në polici. Ndërsa, sa i përket deklarimit të pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë të policisë, gjithsejtë 58 sosh kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit në vitin 2017. Sidoqoftë, kjo agjenci nuk ka mekanizma për të kërkuar llogaridhënie lidhur me pasurinë e fituar të zyrtarëve që obligohen me ligj të deklarojnë pasurinë.

Monitorimi i bërë në vitin 2017 ka treguar se Qeveria e Kosovës ende nuk e ka miratuar Rregulloren mbi prokurimin publik për qëllime të mbrojtjes dhe sigurisë duke mbajtur peng institucionet e sigurisë për aktivitetet e prokurimit publik në këtë fushë. Gjatë këtij viti vërejtjet më të mëdha të Organit Shqyrtues të Prokurimit ndaj policisë kanë të bëjnë me anulimet e aktiviteteve të prokurimit publik nga policia dhe kjo ka ndikuar që operatorë ekonomikë të paraqesin ankesa ndaj policisë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Mangësi në prokurimin e policisë kishte vërejtur edhe Zyra Kombëtare e Auditimit sa i përket zbatimit të kontratave brenda afateve të parapara për realizimin e projekteve të ndryshme si dhe në çështje të tjera.

Gjetjet kryesore të raportit monitorues për Ministrinë e FSK-së

Për dallim prej viteve të kaluara, hartimi i planit të integritetit nga ana e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës ka bërë një hap përpara drejt qëllimit që zbatimi i këtij plani të kontribuojë në forcimin e fushës së integritetit.

Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë një ndër institucionet më të besueshme në vend, megjithatë ende ka hapësirë për përmirësimin dhe adresimin e nevojave që dalin nga gjetjet e këtij hulumtimi:

Sa i përket Prokurimit Publik në FSK ende nuk është miratuar një Rregullore për qëllime të mbrojtjes dhe të sigurisë që përcakton rregullat, përjashtimet, kushtet dhe procedurat e prokurimit. pavarësisht kërkesave nga ana e institucioneve të sigurisë dhe detyrimeve ligjore. Në këtë fushë në vitin 2017 u hartua Strategjia Kombëtare e Prokurimit Publik (2017-2021) e cila aplikohet në të gjitha institucionet publike përfshirë dhe Ministria e FSK-së, me ç’rast MFSK ka filluar aplikimin e-prokurimin dhe ka publikuar të gjitha aktivitetet e prokurimit në këtë platformë. Në periudhën nëntor 2016 – shtator 2017, OSHP ka pranuar 4 ankesa kundër Autoritetit Kontraktues të Ministrisë së FSK-së të cilat kanë pasur të bëjnë me shkeljet e procedurave të Ligjit për Prokurimin Publik. Vendimi i OSHP-së ka rezultuar në 3 ankesa në favor të Ministrisë së FSK-së, kurse 1 është dërguar për rivlersim.

Lidhur me Menaxhimin e burimeve njerëzore është bërë amandamentimi i Kodit të Mirësjelljes për Forcën e Sigurisë së Kosovës i miratuar në maj të vitit 2017. Ky dokument ka për qëllim përcaktimin e rregullave të mirësjelljes së pjestarëve të FSK-së, si dhe fuqizimin e procedurave të kontrollimit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore brenda këtij institucioni. Edhe pse është bërë përshkrimi i vendeve të punës për të gjitha pozitat në Ministrinë e FSK-së, kjo çështje ka mbetur peng si pasojë e vonesave politike për miratimin e mandatit të ri që konsistojnë në mungesën e përshkrimit të detyrave të punës,si dhe e performancës. Në kuadër të këtij departamenti ka filluar aplikimi i procedurave të verifikimit të pozitave të ndjeshme të të gjithë personelit të FSK-së dhe MFSK-së.

Fusha e Auditimit të brendshëm në MFSK vit pas viti është karakterizuar me rekomandime të cilat kanë të bëjnë me përshkrimin e sakt të vendeve dhe detyrave të punës. Kjo njësi deri në fund të dhjetorit 2016 ka realizuar 8 inspektime të cilat kanë mbuluar fushat kryesore. Në këtë drejtim MFSK kishte përgaditur një plan për zbatimin e rekomandimeve të NjaAB-it Deri në fund të vitit 2016, ZKA ka dhënë 2 rekomandime të cilat kanë çuar në zbatimin e pjesshëm të rekomandimeve për vitin 2015, si dhe përmirësimin në fushën e shpenzimeve/planifikimit dhe në fushën e personelit përkatësisht mungesës së përshkrimit të vendeve të punës. kryesisht mungonin disa prej dokumenteve siç janë: kualifikimet, pushimet, vlerësimet e performancës si dhe përshkrimi i detyrave të punës.

Në krahasim me fushat tjera, parandalimi i konfliktit të interesit po del të jetë një çështje mirë e menaxhueshme. Deklarimi i pasurisë dhe i dhuratave monitorohet rregullisht nga Agjencioni Kundër Korrupsionit i cili edhe këtë herë e ka vlerësuar pozitivisht bashkëpunimin me MFSK-në. Në përputhje me ligjin për deklarimin e pasurisë, edhe këtë vit 34 zyrtarë në MFSK-së kanë bërë deklarimin e pasurisë tek AKK, ndërsa është identifikuar vetëm një zyrtar i lartë nga MFSK që nuk e ka deklaruar pasurinë brenda afatit të rregullt ligjor. AKK ka trajtuar dy raste në të cilat kanë qenë të përfshirë 2 zyrtarë të lartë në Ministrinë e FSK-së. Këto dy raste janë hetuar për konflikt të mundshëm interesi sepse krahas ushtrimit të funksionit publik kanë qenë persona të autorizuar në biznesin privat. Rastet tashmë konsiderohen si të mbyllura pasi që këta zyrtarë kanë shmangur gjendjen e konfliktit të interesit në të cilën ndodhej.

Në përputhje me rekomandimet që rrjedhin nga Plani e Integritetit, në prill-maj 2017 është bërë amandamentimi dhe miratimi i Rregullores për Punësimin Dytësor që përcakton rregullat dhe procedurat për pjesëtarët e FSK-së në rastet e angazhimit dhe punësimit dytësor.