FSK furnizohet me mbi 3 milionë plumba – Ministria shpenzon rreth 2 milionë euro

FSK furnizohet me mbi 3 milionë plumba – Ministria shpenzon rreth 2 milionë euro

Ministria për Forcën e Sigurinë e Kosovës ka shpenzuar mbi 1.8 milion euro për ta furnizuar FSK-në me municion gjatë 36 muajve të ardhshëm, pasi nënshkroi sot një kontratë me kompaninë nga Prizreni “Lenti NTSH” dhe firmën italiane të municioneve “Fiocchi Munizioni”.

Vlera e kontratës së dhënë nga Ministria për Forcën e Sigurinë e Kosovës është saktësisht 1 milion e 899 mijë euro dhe obligon kompanitë “Lenti NTSH” dhe “Fiocchi Munizioni” që ta furnizojnë FSK-në me 3 milion e 800 mijë copë të plumbave të ndryshëm, raporton Insajderi.

“AK i MFSK-së dëshiron të hyjë në mardhënie kontraktuale afatgjate (korniz) me nje OE i cili do të ketë kapacitet të bëjë ‘Furnizim me Municion’ për nevoja të FSK-së”, thuhet në përshkrimin e kontratës nga MFSK-ja.

Në njoftimin për kontratë, të publikuar sot në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) nga Autoriteti Kontraktues i ministrisë, janë bërë të ditura edhe detaje të tjera rreth municionit me të cilin pritet të furnizohet FSK-ja.

“Furnizimi me Municion luftarak (kalibri 5.56×45 mm NATO Modeli M855 Ball; municion kalibri 9x19mm), si dhe municion manovrues (kalibri 5.56×45 mm NATO Modeli M755 Blank)  do të bëhet për nevojat e FSK-së me qëllim të përmbushjes së detyrimeve sipas misionit në kryerjen e detyrave që dalin nga misioni kushtetues që ka FSK-ja”, thuhet në njoftimin për kontratë.

Sasia e municioneve të porositura nga MFSK-ja arrin deri në mbi 3 milion e gjysmë copë të plumbave.

“Sasia e planifikuar per 36 muaj do te jete: Municion luftarak ( kalibri 5.56×45 mm NATO Modeli M855 Ball 3,000.000 cope; Municion luftarak ( kalibri 9x19mm 100,000 cope , si dhe municion manovrues (kalibri 5.56×45 mm NATO Modeli M755 Blank 700,000 copë”, thuhet në kontratë, raporton Insajderi.

Fiocchi Munizioni është një nga prodhuesit më të mëdhenj dhe më të vjetër të municionit në Itali.

Selia e kompanisë dhe fabrika kryesore e prodhimit ndodhet në qytezën Via Santa Barbara në Lecco të Italisë. /Insajderi.com