Fshirja misterioze e grafitit për Ukshin Hotin: VV-ja dhe MKRS-ja akuzojnë njëra-tjetrën

Fshirja misterioze e grafitit për Ukshin Hotin: VV-ja dhe MKRS-ja akuzojnë njëra-tjetrën

Çështja e zëvendësimit të grafitit “Ku është Ukshin Hoti” me atë “Drejtësi për Astritin” është bërë pjesë e akuzave dhe kundër-akuzave mes djalit të veprimtarit të zhdukur tash e dy dekada, Andin Hotit që akuzon Lëvizjen Vetëvendosje se fshiu grafitin e babait të tij dhe Frashër Krasniqit nga VV-ja që mohon këtë deklarim, duke akuzuar Ministrinë e Kulturës për fshirjen e grafitit.

Përderisa zëvendësministri i Kulturës, Rexhep Hoti, që është edhe kushëriri i Ukshin Hotit, nuk pranoi të komentonte për këtë çështje, drejtori i Departamentit të Administratës Qendrore në Ministrinë e Kulturës, Feim Maliqaj, i ka thënë Insajderit se MKRS nuk e ka fshirë grafitin për Ukshin Hotin.

“Nuk e ka fshirë Ministria por e ka fshirë Vetëvendosje”, ka thënë Maliqaj, për Insajderin.

Maliqaj, që drejton departamentin që merret me mirëmbajtjen e objektit të MKRS-së, tha se punëtorët e Ministrisë nuk e ka fshirë grafitin.

“E them me përgjegjësi të plotë, se Ministria as nuk ka angazhuar ndonjë punëtor e as ndonjë kompani që ta fshi grafitin për Ukshin Hotit. Dhe në murin e Ministrisë asnjë punëtor e askush tjetër në Ministri nuk mund të ndërhy pa e ditur unë”, ka thënë Maliqaj për Insajderin.

Më herët, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, duke iu përgjigjur akuzave të Andin Hotit, tha se “grafitet e shkruara në këtë ndërtesë janë fshirë me urdhra të kësaj Ministrie, pasi që për mirëmbajtjen (lyerjen) e ndërtesës përkujdeset dhe e bënë vetë Ministria”.

Sipas tij, Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk i ka fshirë grafitet e Ukshin Hotit, dhe një gjë të tillë nuk do ta bëjë asnjëherë ndaj asnjë grafiti që kërkon drejtësi.

“E sidomos për Ukshin Hotin, i cili mbetet njëri nga mendjet më të ndritura shqiptare”, ka shkruar zëdhënësi i Vetëvendosjes që gjendet në arrest shtëpiak nën akuzën për sulm të objektit të Kuvendit të Kosovës.

Por Maliqaj nga MKRS, I pyetur nga Insajderi se cilat janë faktet që e argumentojnë se VV-ja ka bërë fshirjen e grafitit, ka thënë se ka informacione nga sigurimi i Ministrisë se fshirjen e tij e kanë bërë aktivistët e VV-së para disa ditësh, në mënyrë të organizuar.

“Kanë qenë diku 20-30 aktivistë që kanë fshirë grafitin për Ukshin Hotin dhe më pas e kanë bërë atë për Astrit Deharin”, ka thënë Maliqaj.

Por sipas zëdhënësit tjetër të Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti, kjo nuk është aspak e vërtetë.

“Është gënjeshtër”, ka thënë Hoti, teksa ka paraqitur një fotografi në të cilën shihen disa punëtor teksa fshijnë mbishkrimet “Drejtësi për Astritin” dhe “Astritin e vrau pushteti” të shkruara në murin e Ministrisë.

fshirja

Maliqaj përsëri mohon të jetë bërë një gjë e tillë me leje të Ministrisë. Sipas tij, fshirja e grafiteve për Astritin, është tjetër gjë dhe tjetër ajo e fshirjes së grafitit për Ukshin Hotit.

“Por asnjërën prej tyre nuk e kemi bërë ne. Në atë fotografi nuk është punëtori i Minsitrisë e as ndonjë i angazhuar nga ne”, ka thënë Maliqaj, për Insajderin.

I pyetur nëse MKRS do të fshijë grafitet për Astrit Deharin, por ai nuk ka dhënë ndonjë përgjigje të prerë.

“Është pak çështje që do trajtim. Do ta diskutojmë me ministrin dhe sekretarin për të shikuar rreth kësaj çështje”, ka thënë Maliqaj./Insajderi.com

Krasniqi: VV ndjekë rrugën e Ukshin Hotit, djali i tij të PDK-së