Fshati i Fatmir Limajt shpallet nga Qeveria zonë e veçantë ekonomike

Fshati i Fatmir Limajt shpallet nga Qeveria zonë e veçantë ekonomike

Një pjesë e fshatit Banjë të Malishevës, prej nga vjen edhe zv/kryeministri Fatmir Limaj, do të shpallet zonë e veçantë ekonomike. Ky është vendimi që e ka marrë Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, shkruan lajmi.net.

Por për krijimin e kësaj zone ekonomike, së pari do të realizohet shpronësimi i cili ka koston e miliona eurove. Dhe veç Banjës, shpronësimi do të prek edhe fshatrat Bellanicë e Senik.

Bajram Hasani, ministër i Tregtisë dhe Industrikë ka theksuar se ky projekt prek gjithë regjionin  dhe jo vetëm komunën e Malishevës.

“Ky projekto nuk është i rëndësishëm vetëm për regjinonin por ka edhe interes nacional, pasi prek rrugën autostradën. Edhe si MTI edhe si qeveri kemi dhënë prioritet prodhuesve tanë, kompanive tona, me qëllim të zhvillimit të veprimtarisë së tyre”, tha Hasani.

Në këtë pikë të rendit të ditës ka pasur një diskutim ndërmjet ministrave. Ishte Uran Ismaili i cili kërkoi sqarime nga Ministria e Financave dhe Ambientit.

“Kemi pasur debat për këtë pikë, duhet të ketë dakordim me ministrin e Financave dhe të Ambientit”, tha Ismaili.

Kurse zv/ministri i Financave, Fatmir Gashi theksoi se buxheti do të shqyrtohet pasi të përcaktohet zona me interes të veçantë. Prej ku do të fillojë procedura për sigurimin e mjeteve. Ky vendim është miratuar me shumicë votash.

Propozimi në fjalë ishte kundërshtuar nga ministrat e PDK-së në mbledhjen e javës së kaluar.

Abelard Tahiri dhe Besim Beqaj kishin theksuar se qeveria nuk mund të hyjë në obligime të tilla, pa e ditur saktë koston e projektit. Kurse raportohet se pritet të shpronësohen mbi 50 hektar./Gazeta Alo