Frikacakë e abuzues me ushtrinë dhe Epopenë e UÇK-së

Presidenti vendosi të tërhiqej pikërisht në ditën e fundit para se qeverisë t’i skadonte afati për dërgim në parlament të projektligjit për bërjen e ushtrisë. Pas kundërshtimeve të fuqishme ndërkombëtare, duket se Thaçi pati drojën që bashkë me Veselin do të bjerë në gropën të, cilën e kishin përgatitur për fundosjen e kundërshtarëve të tyre politik.

Frikacakë e abuzues me ushtrinë dhe Epopenë e UÇK-së

Për koincidencë, sot bëhen një muaj nga fotoja e shpërndarë me krenari nga presidenti Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Aty shihet teksa Thaçi i dorëzon projektligjin për bërjen e ushtrisë, pasardhësit të tij në parti.

Në këtë foto, në krahët e djathtë të tyre shihen këshilltarët  e tyre. Bekim Çollaku i Thaçit e Bekim Latifi i Veselit duken tejet serioz dhe të bindur skajshmërisht se shefat e tyre po e kryejnë një veprim burrëror dhe se nuk do të lëkundën nga miratimi i këtij projektligji.

Nuk ndodhi kështu. Që të dy u zmbrapsen. Sot, një muaj më pas Thaçi e njoftoi Veselin për dështimin, nëpërmjet një shkrese jo-publike.

Letra që tregonte për dështimin e bërjes së ushtrisë, pa pasur nevojën e ndryshimeve kushtetuese, e kishte mangut vetëm këtë fjali: Kadri, shumë keq që abuzuam me Epopenë e UÇK-së dhe me përkujtimin për Adem Jasharin dhe familjen e tij. Ndihem si mashtrues në këto momente. Besoj, se njëjtë ndjeheni edhe ju.

Abuzimi me Epopenë e UÇK-së

Është e dhimbshme kur abuzimi i Epopesë së UÇK-së, u bë pikërisht nga dy njerëzit që kishin rol udhëheq në luftë. Thaçi e udhëhiqte drejtorinë politike, ndërsa Veseli shërbimin informativ të UÇK-së.

Por, që të dy e pak më shumë Thaçi, u përkujdesën që ushtrinë dhe Epopenë e UÇK-së ta shfrytëzonin për poenë politik, në prag të zgjedhjeve.

Ajo çfarë kishte ndodhur në ato tri ditë, më 5, 6, dhe 7 mars ishte më shumë një veprim parazgjedhor se sa ushtarak. Shkuan deri aty, sa e dërguan një zyrtar të lartë i PDK-së që të shfaqej në televizionin publik dhe ta heroizonte Hashim Thaçin.  Hapësira e RTK-së kurrë nuk ishte abuzuar aq shumë.

I dërguar për të kryer aktin e servilit, zyrtari i lartë i PDK-së nuk ngurroi ta thoshte edhe një fjali rrëqethëse.

“Thaçi i gëzoi të rënët dhe të gjallët në epopenë e UÇK-së. Ushtria do të bëhet”, thoshte ai.

Derisa servilët i lavdëronin,  Thaçi dhe Veseli e dinin që ushtria nuk mund të bëhej, pa ndryshime kushtetuese.

Por, në prag te zgjedhjeve synuan që të prezantohen para publikut si politikanë me kredenciale të ish-luftëtarëve dhe të vetmit që kanë fuqinë për ta bërë ushtrinë.

Ishte një përpjekje që të dërgojnë sinjalin se përpos këtyre dy ish-luftëtarëve askush tjetër nuk mund ta bëjë.

Shikuar nga ky prizëm, ushtria ishte hambar i votave për PDK-në, të udhëhequr deri tash nga Thaçi, i cili po pasohet nga Veseli.

Por, tash pas tërheqjes duket se e kanë të pamundur që të përfitojnë vota nga ky hambar i supozuar.

Ngritja e flamurit të bardhë

Por, pse pikërisht sot Thaçi e ngriti flamurin e bardhë dhe u tërhoq nga ideja e bërjes së ushtrisë pa ndryshime kushtetuese?

Ishte data 8 mars e këtij vitit, kur kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi që ta procedojë ligjin për ushtrinë në Qeverinë e Kosovës. Kryesia e Kuvendit i kishte dhënë Qeverisë një muaj ditë kohë për të dhënë mendimin për përmbajtjen e projektligjit dhe për ta rikthyer atë në Kuvend.

Nesër bëhen një muaj. Nëse javën e ardhshme pas kalimit të afatit një mujor, Qeveria do ta kthente në Kuvend projektligjin për ushtrinë, atëherë deputetët është dashur të votojnë për miratimin e tyre.

Ky veprim do të ishte në kundërshtim me qëndrimin e NATO-s dhe Ambasadës Amerikanë në Kosovë. Ishin qëndrimet e tyre që e frikësuan Thaçin dhe e zmbrapsën.

Thaçi lëvizi një ditë para skadimit të këtij afati dhënë Qeverisë, duke pezulluar procesin e miratimit të ligjit të transformimit të FSK-së në ushtri.

Thaçi, nëpërmjet letrës dërguar krye parlamentarit Kadri Veseli, kërkoj që të shteren mundësitë për të bindur komunitetin serb që të japin mbështetjen e tyre për ndryshime kushtetuese.

Përmbajtja e kësaj letre është në kundërshtim me deklarimet e mëhershme të Thaçit e Veselit.

Që të dy, Thaçi dhe Veseli, ishin të bindur se ushtria duhej të bëhej nëpërmjet ligjit, pasi që ndryshimet kushtetuese nuk mund të bëhen.

Madje, Thaçi pati kërcënuar me dorëheqje nëse deputetet nuk do ta miratonin projektligjin për ushtrinë.

“…do të japë dorëheqje nga pozita e Presidentit, nëse Kuvendi i Kosovës nuk e miraton Projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri”, ishte deklarata e  Thaçit, nëpërmjet të cilës dëshironte të bindte skeptikët, të cilit nuk i beson këmbëngulësisë së tij.

Ishte një premtim kot, të cilin gati askush nuk  e besonte. Gati një muaj pas këtij premtimi bombastik, Thaçi është ai që nuk i lë deputetët që të votojnë për transformimin e FSK-së në ushtri.

Dhe Thaçi ka të drejtë që të mos e përmbushë këtë premtim, sepse pakkush nga skena politike e ka guximin që t’ia kërkojë dorëheqjen. Votat për ta rrëzuar atë do të mungojnë dhe do të blihen, siç ka ndodh kur u bë president, nëse dikush vendos të rebelohet dhe të kërkojë shkarkimin e tij.

Megjithatë, Thaçi gjatë tërë këtij muaji, nuk e kishte mendjen as tek dorëheqja e as te ushtria. E kishte tek kryeministri Isa Mustafa. Projekti i tij parashihte frikën e Mustafës nga ndërkombëtarët për të proceduar projektligjin e bërjes së ushtrisë. Kjo frikë e kryeministrit nga ndërkombëtarët do të përkthehej në humbje të votave në zgjedhje për LDK-në. Por, Thaçi nuk i kishte bërë mirë llogaritë.  Nëse për LDK-në do të ishte humbje e votave mos procedimi, për Thaçin do të ishte humbje e karrierës politike këmbëngulësia për të shtyrë përpara një iniciativë në kundërshtim me interesat e ndërkombëtarëve.