Fotoja e ditës/ Shqiptari i Turqisë gjunjëzohet nga bashkëkombasi

Mbrojtësi kundërshtar që nuk arriti ta mbulonte Sadikun në momentin e golit, ishte një futbollist me origjinë shqiptare, që përfaqëson Turqinë: Serdar Aziz.

Fotoja e ditës/ Shqiptari i Turqisë gjunjëzohet nga bashkëkombasi

Po zhvillohej minuta e 24-të kur Odise Roshi pasi kaloi përmes dy mbrojtësve e gjeti në zonë Armando Sadikun, i cili i iku mbulimit të mbrojtësit kundërshtar dhe me një gjuajtje të fortë dërgoi topin në rrjetë. Me këtë gol, Sadiku e kaloi Shqipërinë në epërsi ndaj Turqisë në Alanya.

Mbrojtësi kundërshtar që nuk arriti ta mbulonte Sadikun në momentin e golit, ishte një futbollist me origjinë shqiptare, që përfaqëson Turqinë: Serdar Aziz.

Aziz është qendërmbrojtës i skuadrës së njohur turke Galatasaray, raporton Insajderi.

Ai ka lindur në Bursa – rajon në të cilin jetojnë rreth 500 mijë njerëz me origjinë shqiptare. Bursa është rajoni turk ku jetojnë më së shumti shqiptarë. Edhe Serdar Aziz është njëri prej tyre.

Babai i tij është një shqiptar, i lindur në qytetin e Manastirit në Maqedoni. Mbrojtësi i kombëtares turke është rritur në lagjën e njohur si Pazarçeşme (Pazarçeshme) të Bursas, ku kishte emigruar familja e tij në fillim të shekullit 20.

Vitin e kaluar, Aziz ishte objektiv i Albert Bunjakit, ish-trajnerit të kombëtares së Kosovës, që kishte shprehur haptasi dëshirën që ta grumbullonte mbrojtësin e Galatasarayt tek Kosova. Aziz kishte refuzuar.

Shqipëria e mposhti Turqinë me rezultat 3-2, në ndeshjen miqësore që u zhvillua të hënën në Alanya. /Insajderi.com