Fotografimi pa leje në anije i kushton me burgim kosovarit

21.08.2017 19:02
Fotografimi pa leje në anije i kushton me burgim kosovarit

Shëtitja me anije në liqenin Bodensee ka marrë një përfundim jo të këndshëm për kosovarin 27 vjeçar. Ai ka përfunduar në burg për hetime, pasi që mysafirët tjerë në këtë anije janë ankuar se janë ndjerë të ngacmuar nga ai. Sipas tyre ai i ka fotografuar ata pa i dhënë leje për një gjë të tillë.

Për këtë arsye ka ndërhyrë policia nga Lindau e cila e ka arrestuar të riun, shkruan agjencia gjermane e lajmeve DPA. Me atë rast është konstatuar se 27 vjeçari, i prezantuar fillimisht si shtetas i Sllovenisë, ishte në fakt një azilkërkues kosovar, me kërkesë të refuzuar azili nga Gjermania, transmeton albinfo.ch.

Dokumentet e identifikimit ashtu sikurse edhe patentshoferin, i kishte të gjitha të falsifikuara, gjë që u konstatua përmes krahasimit të shenjave të gishtërinjve.

Pas refuzimit të azilit, personi në fjalë kishte kaluar në ilegalitet, ndërsa pas kësaj, sipas rrëfimit të tij, kishte shpenzuar 10 mijë euro për “ndryshimin e plotë të identitetit”, përmes dokumenteve të reja sllovene

Pas burgut hetimor, ndaj 27 vjeçarit pritet të ushtrohet padi penale dhe të bëhet dëbimi në Kosovë.