Formacioni i mundshëm i Italisë në Shqipëri

Formacioni i mundshëm i Italisë në Shqipëri

Xhampiero Ventura mund të marrë frymë lirisht, por vetëm për pak kohë, teksa dje ka siguruar “play off”-et e Botërorit 2018, për meritë të Belgjikës.

Trajneri i Italisë ka një mal me probleme për të zgjidhur, të cilat nuk lidhen vetëm me mungesat e shumta në grup, por edhe me një depresion që duket se ka kapluar futbollistët e tij, të cilët kundër Shqipërisë do të kenë testin e fundit, përpara dy sfidave “play off”, të cilat vlejnë fatin e një kombi të tërë.

Prandaj, në pritje të duelit në Shkodër, të hënën në mbrëmje, Ventura është i kushtëzuar edhe nga forcat e pakta në mesfushë, që të ripropozojë formacionin e tij ideal, 4-2-4, jo më 3-4-3 e parë ndaj Maqedonisë, i cili ofroi shumë amnezi në mbrojtje.

Italia formacioni

Për këtë arsye, nëse mbrojtja është thuajse e sigurt me Spinacolën, Bonuçin, Kielinin dhe Zapakostën, në mesfushë do të luajnë Galjardini me Parolon, ndërsa në sulm surpriza quhet Eder, i cili do të lëvizë përkrah Imobiles në qendër, të mbështetur nga Kandreva dhe Insinje nga krahët.