Forcat ushtarake britanike në “rrezik” nga ato ruse

Forcat ushtarake britanike në “rrezik” nga ato ruse

Pa një nivel më të lartë investimesh, forcat ushtarake britanike rrezikojnë të mbeten një hap prapa Rusisë paralajmëron shefi i shtabit, gjeneral Sir Nick Carter.

Aftësia e forcave ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar për të reaguar ndaj kërcënimeve do të gërryhet sipas tij nëse nuk ruhet i njëjti ritëm zhvillimi me kundërshtarët.

Fjalimi i aprovuar edhe nga sekretari i Mbrojtjes Gavin Williamson vjen në mesin e spekulimeve mbi shkurtime të mundshme në sektorin e mbrojtjes në Angli. Gjenerali Carter u përpoq të evidentonte aftësinë e Moskës në luftën kibernetike e kujtoi sesi ushtria ruse ndërmori vitin e kaluar një stërvitje në shkallë të gjerë ku përfshiheshin sulme të simuluara në veriun e kontinentit të vjetër, nga Kaliningradi deri në Lituani.

Në fjalën e tij, gjenerali e tërhoqi vëmendjen edhe tek raketat ruse; ndërsa forcat e Moskës ndërhynin në Siri, 26 raketa u dislokuan në një rreze prej 1500 km, tha ai.

Rusia, sipas Carterit, është duke krijuar një forcë agresive ekspedite që i kapërcen shumë aftësitë e ushtrisë britanike. Kërcënime të mundshme ushtarake janë sot në dyert e Britanisë së Madhe, paralajmëron ai. Kryeministrja britanike Theresa May deklaroi vitin e kaluar se Rusia ka ndërmarrë një fushatë të gjatë e të pandërprerë spiunazhi dhe sulmesh kibernetike ndaj kombeve të tjera.

Ndërsa faktin që aftësia e ushtrisë britanike është sot prapa asaj të Moskës, e pohon edhe ish-kundëradmirali i marinës Chris Parry, që tha për BBC-në se në raporte cilësie, britanikët do të gjendeshin në pozita të dobëta përballë rusëve.