“Forca e Ndryshimit” slogani i PDK-së për zgjedhjet lokale

“Forca e Ndryshimit” slogani i PDK-së për zgjedhjet lokale

Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur sot sloganin e saj për zgjedhjet lokale të 22 tetorit i cili do të jetë “Forca e Ndryshimit”.

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke paraqitur sloganin e ri të partisë, tha se ai reflekton forcën dhe vullnetin e PDK-së për të ndryshuar vetë por edhe për t’iu prirë ndryshimeve në vend.

“Edhe kësaj here, sikurse ka bërë gjithmonë, Partia Demokratike e Kosovës po dëshmon se është e aftë të eci në hap me kohën, ka përgjegjësinë që t’i dëgjojë e kuptojë më së miri kërkesat e qytetarëve dhe ka kapacitetet që të përgatisë ofertën më të mirë politike në vend”, tha Krasniqi.

“Po ashtu një hap tjetër domethënës i ndryshimit është kandidimi i tre grave, profesioniste të shquara e të suksesshme, si kandidate për kryetare të komunës, duke demonstruar qëllimin tonë për të forcuar rolin e grave në vendimmarrje”, tha Krasniqi.

Në këtë konferencë nënkryetari i PDK-së ka paraqitur edhe logon e re të PDK-së e cila konsiston në akronimin e emrit të partisë në ngjyrë të kaltër, por me një stilizim modern të kokës së shqiponjës në shkronjën D.

“Shqiponja është padyshim një nga simbolet më të rëndësishme të popullit tonë dhe gjenezë edhe e emrit shqiptar. Ky simbol kombëtar ka ardhur që prej luftës çlirimtare dhe e ka shoqëruar partinë tonë gjatë gjithë viteve të veprimtarive të saj.

“Pjesë e këtij ribrendimi është edhe faqja e re internetit që sapo kemi lansuar”, tha Krasniqi.